Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut

4

Nëse disa ligje të kësaj bote i arsyetojnë të gjitha mjetet – çfarëdo qofshin ato – për të arritur tek qëllimi, ligjet qiellore obligojnë që mjetet të jenë të ligjshme. Islami kategorikisht e refuzon parimin i cili thotë se qëllimi e arsyeton mjetin. Ashtu siç qëllimi është i ligjshëm dhe fisnik në Islam, gjithashtu mjeti me të cilin arrihet qëllimi duhet të jetë i tillë.

Në Kuran është përmendur ndalimi i sharjes së idhujtarëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija” (En’am, 108).

Librat e komentimit të Kuranit përmendin më tepër se një transmetim lidhur me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, mirëpo versioni më i saktë përsa i përket shkakut të zbritjes së ajetit dhe më afër kontekstit të tij është transmetimi që është përcjellur nga Katade, i cili thotë: “Muslimanët i shanin idhujt e jobesimtarëve ndërsa ata ua kthenin atyre, e Allahu i ndaloi që t’i nxisin ta shajnë Zotin e tyre sepse ata janë popull injorant, nuk dinë për Allahun”. Transmeton Taberiu.

Sharja në origjinë tregon për nënçmim të dikujt. Ndërsa sharja në ajet nënkupton fjalë përulëse dhe kritikuese që kanë dalë nga disa muslimanë ndaj zotave të idhujtarëve. Pas përmendjes së shkakut të zbritjes së ajetit do të ndalemi t’i përmendim disa dobi që i përmban ky ajet kuranor:

Dobia e parë: Sharja e Allahut nga ana e jobesimtarëve nuk nënkupton domosdoshmërisht që sharja të jetë në kuptimin e njohur ndërmjet njerëzve, por ajo mund të jetë duke e përshkruar Allahun e Lartësuar me diçka që Ai është i pastër nga ato cilësi, si përshkrimi i Allahut me padrejtësi, ose duke thënë se Ai ka fëmijë, ose ka nevojë për ndihmën e ndonjë krijese e cilësi të ngjashme me këto me të cilat cilësohen njerëzit. Sharja mund të marrë formën e veprës dhe të sjelljes, si për shembull jobesimtari të këmbëngulë në pabesimin dhe kryeneçësinë e tij, kjo bën pjesë në sharjen ndaj Allahut.

Dobia e dytë: Sharja e ndaluar në ajet nuk nënkupton atë që është përmendur në Kuran si vërtetim i mangësive të zotave të jobesimtarëve dhe të humburve, si fjala e Allahut të Madhërishëm: “A kanë ata këmbë për të ecur ose duar për të kapur? A kanë sy për të parë ose veshë për të dëgjuar?” (A’raf, 195) ose fjala e Allahut: “Me të vërtetë, ju (idhujtarë) dhe idhujt që i adhuroni në vend të Allahut, do të jeni lëndë djegëse për Xhehenemin” (Enbija, 98). Këto dhe të ngjashme me këto nuk konsiderohen sharje e as fyerje, por është nga aspekti i ngritjes së argumenteve. Anulimi i bindjeve të jobesimtarëve me fakte e argumente dhe përshkrimi i gjendjes së tyre në të cilën janë, është një gjë e kërkuar nga aspekti fetar e nuk llogaritet si fyerje e ndaluar, ngase sharja dhe fyerja është një gjë kurse përshkrimi i gjendjes së tyre në të cilën janë është një gjë tjetër dhe kanë dallim. Gjithashtu, kundërpërgjigjja ndaj dilemave të jobesimtarëve dhe përgënjeshtrimi i tyre nuk futet në ndalesën e përmendur në Kuran por e kundërta e kësaj është e vërtetë. Konfrontimi me dyshimet e të humburve dhe kundërpërgjigjja ndaj shpifjeve të shpifësve është një gjë e kërkuar nga aspekti fetar.

Dobia e tretë: Disa dijetarë kanë thënë : “Nuk lejohet të veprohet me jobesimtarët me atë që do ti shtonte atyre largim dhe shmangie nga e vërteta” Prandaj, çdo gjë që ua bën jobesimtarëve të urryer fenë islame dhe i largon nga përqafimi i saj, muslimani duhet të largohet prej saj. Dëshmi për këtë kemi fjalën e të Dërguarit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, kur i tha Aishes: “Sikur të mos ishte populli yt akoma afër periudhës së injorancës, do të shpenzoja thesarin e Qabes në rrugën e Allahut.” Transmeton Muslimi. Gjithashtu, fjala e të Dërguarit të Allahut drejtuar Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur mori leje nga Profeti t’i vriste disa hipokritë, ai i tha: “Jo, nuk dua të flasin arabët se Muhamedi i vret shokët e vet.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dobia e katërt: Disa dijetarë kanë thënë se “dispozita e këtij ajeti mbetet për çdo kohë. Sa herë që jobesimtari është i fuqishëm dhe ka frikë se po shahet Islami, ose i Dërguari, ose Allahu, nuk i lejohet muslimanit ti shajë kryqet, fenë e tyre, e as kishat e tyre.” Por e sakta është se ndalimi nga sharja është i përgjithshëm qoftë jobesimtari i fuqishëm ose i dobët. Ngase nëse është i fuqishëm sharja do ta shtynte ta fyejë Islamin me të gjitha format, sharje, ofendim e të ngjashme me këto, ndërsa nëse është i dobët sharja do ta shtynte drejt urrejtjes së Islamit dhe largimit prej tij.

Dobia e pestë: Metoda e sharjes dhe e ofendimit kundërshton bazën e thirrjes me të cilën ka ardhur sheriati islam. Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar Muhamedin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, të diskutojë me jobesimtarët në formën më të mirë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” (Nahl, 125)

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar i drejtohet profetëve të Vet, Musait e Harunit, kur i dërgoi te Faraoni: “Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” (Taha, 44)

Dijetarët islamë kanë përmendur se ajeti të cilin po e shpjegojmë konsiderohet bazë e fortë për rregullën سد الذرائع “masë parandaluese”, që është një rregull e usuli fikhut, mbi të cilën juristët islamë kanë ndërtuar mesele të shumta. Sipas kësaj rregulle: Çdo veprim i ligjshëm, me veprimin e të cilit rezulton një dëm më i madh se sa dobia ekzistuese, atëherë ai legjitimitet hiqet dhe shndërrohet në të ndaluar për shkak të dëmit me veprimin e të cilit rezulton.

Ajeti u drejtohet të gjithë muslimanëve, ku Allahu i Lartësuar i ndalon nga sharja e idhujtarëve dhe e jobesimtarëve për shkak se me sharjen e tyre rezultojnë pasoja dhe përfundime jo të lavdëruara, e lëre më faktin se sharja e ofendimi nuk janë moral islam e as metodë prej metodave të bindjes dhe interpretimit të Islamit.

 

 

Përgatiti: Almedin Ejupi

Daveti gif

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Shperndaje
Shperndaje