Tregimi i atij që huazoi një mijë dinarë

flori1

Sa nevojë e madhe është bërë në këtë kohë, kur materializmi ka arritur kulmin, është bërë nevojë për ringjalljen e çështjes së bindjes ndaj Allahut të Lartësuar dhe mbështetjes në Të për plotësimin e nevojave, për largimin e brengave. Njeriu shpeshherë jepet pas shkaqeve dhe mbështetet në to duke harruar Krijuesin, në dorën e të Cilit janë çelësat e gjërave, depot e qiejve dhe të tokës. Në Librin e Tij, në Kuran, Allahu i Lartësuar flet lidhur me këtë çështje, si në fjalët e Tij: “…e mjafton All-llahu dëshmitar.” (Fet’h, 28). Gjithashtu fjalët e Tij: “E, mbështetu në All-llahun, se mjafton që All-llahu të jetë mbrojtës yti.” (Ahzab, 3). “A nuk i mjafton All-llahu robit të Vet?” (Zumer, 36). E tërë kjo me të vetmin synim, përforcimin e kësaj çështjeje në zemrat e njerëzve dhe mos harresën në çastet e vështira të jetës. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, na rrëfen për tregimin e dy njerëzve të popujve të mëparshëm lidhur me këtë.
Tregimin e shënon Buhariu1 në sahih, të transmetuar nga Ebu Hurerja, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke përmendur se ishin dy njerëz nga Beni Israilët, njëri prej tyre kërkoi nga tjetri borxh një mijë dinarë. Ky i tha: “Më sill dëshmitarë për këtë.” Tha: “Mjafton Allahu dëshmitar.” Atëherë i tha: “Më sill garantues në këtë.” Tha: “Mjafton Allahu garantues.” Atëherë i tha: “Të vërtetën e the”, dhe i dha atij borxh për një kohë të caktuar. Doli në det, mbaroi punët e veta dhe filloi të kërkonte anije që të hipte dhe t’i kthente borxhin në kohën e caktuar, mirëpo nuk gjeti anije. Mori një dërrasë, e skaliti dhe futi në të një mijë dinarë, bashkë më të edhe një shkresë. Shkoi me të në det dhe tha: “O Zot! Ti e di që unë kam marrë borxh nga filani një mijë dinarë. Ai më kërkoi garantues, ndërsa unë i thashë se Allahu është garantues, e ai u pajtua më këtë. Më kërkoi dëshmitarë, ndërsa unë i thashë se mjafton Allahun si dëshmitar, e ai u pajtua me këtë. Unë bëra përpjekje që të gjeja anije që të hipja në të dhe t’i ktheja të drejtën e tij, mirëpo nuk gjeta. Po e lë në kujdesin Tënd.” E hodhi atë në det e më pastaj u largua, duke kërkuar anije që të kthehet në vendbanimin e vet. Njeriu i cili i dha borxh doli për të pritur dhe shikonte se mos po vinte ndonjë anije me pasurinë e vet. Në atë çast vërejti dërrasën në të cilën ishte pasuria e tij, mirëpo ai e mori për familjen e vet si dru zjarri. Kur e hapi atë gjeti pasurinë dhe shkresën. Më pas erdhi njeriu i cili kishte marrë borxh dhe me veti kishte një mijë dinarë dhe tha: “Pasha Allahun, kërkoja anije që të sillja pasurinë tënde, mirëpo s’gjeta para kësaj që erdha me të.” Njeriu i tha: “Më ke dërguar diçka?” Iu përgjigj duke thënë: “Unë kërkova anije, mirëpo s’gjeta para kësaj që erdha.” Atëherë i tha: “Allahu e përmbushi për ty atë që dërgove përmes dërrasës.” Kthehu me një mijë dinarë i kënaqur.”
Ky qe tregimi i dy njerëzve të mirë nga beni israilët. Jetonin në një vend, mirëpo i ndante vetëm bregdeti. Njëri prej tyre dëshironte që të punonte me tregti dhe kishte nevojë për një shumë të hollash. Kërkoi nga tjetri borxh një mijë dinarë, në mënyrë që t’ia kthente në kohën e caktuar. Njeriu kërkoi nga ai dëshmitarë për këtë borxh. Ndërsa ai iu përgjigj duke i thënë se mjaftonte Allahu si dëshmitar. Njeriu u pajtua me dëshminë e Allahut. Më pas kërkoi nga ai sjelljen e garantuesit, që në rast të pamundësisë së kthimit të borxhit të paguante garantuesi. Ndërsa huamarrësi i është përgjigjur duke i thënë se mjaftonte Allahu për garantues. Huadhënësi ishte pajtuar me garancinë e Allahut të Lartësuar.
Kjo na jep të kuptojmë për besimin (imanin) e huadhënësit dhe bindjen e fortë ndaj Allahut të Lartësuar. Huamarrësi udhëtoi për të bërë tregti. Kur është afruar afati i kthimit të borxhit, dëshiroi të kthehej në vendbanimin e vet në mënyrë që të kthej borxhin në afatin e caktuar. Mirëpo s’gjeti anije e cila do ta çonte në vendin e tij. Kujtoi premtimin për afatin e kthimit të borxhit, përkujtoi dëshminë dhe garancinë e Allahut të Lartësuar lidhur me këtë borxh. Atëherë filloi të mendojë rreth mënyrës dhe formës së kthimit të pasurisë në kohën e caktuar. S’kishte formë tjetër vetëm se të merrte një dërrasë, e skaliti atë dhe bëri vend për të hollat dhe së bashku me të hollat dërgoi edhe një shkresë, duke i shkruar atij për atë që i ndodhi. E hodhi në mes të detit duke qenë i bindur në Allahun e Lartësuar, i mbështetur në Të, i bindur se Ai nuk do ta zhgënjejë. Më pas u largua duke kërkuar anije që të kthehet në vendin e vet. Ndërsa huadhënësi doli në bregdet në kohën e caktuar duke pritur njeriun ose ndonjë të dërguar për kthimin e pasurisë së vet. Por nuk gjeti askënd, mirëpo gjeti një dërrasë, të cilën valët e detit e kishin hedhur në bregdet. E mori atë me shpresë se familja e vet do të përfitonte e do ta shfrytëzonin si zjarr druri. Kur e preu atë gjeti pasurinë të cilën e kishte dërguar huamarrësi dhe së bashku me të edhe shkresën.
Në rastin e parë që i është ofruar huamarrësit shkoi tek huadhënësi së bashku me një mijë dinarë të tjerë, ngase kishte frikë se mos ndoshta nuk i kanë arritur ato të parat. Filloi t’i shpjegojë arsyen e vonimit. Mirëpo njeriu i tregoi duke i thënë se Allahu, me të Cilin u pajtua të jetë Dëshmitar dhe Garantues, e plotësoi dhe përmbushi borxhin në afatin e caktuar.
Ky tregim, lexues i nderuar, tregon për butësinë e madhe të Allahut të Lartësuar dhe ruajtjen e Tij ndaj robërve të Vet. Ai u mjafton robërve, nëse i mbështeten Atij. Gjithashtu, ky tregim na jep të kuptojmë rezultatet e mbështetjes në Allahun e Lartësuar në plotësimin e nevojave. Ndaj, obligim i njeriut është që të ketë gjithmonë mendim të mirë për Allahun, në çdo çast dhe në çdo gjendje.

Përgatiti: Almedin Ejupi

Daveti gif

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Shperndaje
Shperndaje