Prindërit jobesimtarë

prinderit

…Besimtari kur dëgjon prindërit, qofshin këta edhe qafirë, merr shpërblim tek Allahu i lartësuar. Fakti që prindërit nuk janë muslimanë nuk përbën pengesë për mosmarrjen e shpërblimit të mirëbërjes ndaj prindit.

Ndoshta mund të mendojë njeriu se po i bindemi qafirit, po respektoj një qafir, e si mund të shpërblehem unë kur respektoj këtë qafir? Islami na këshillon që t’i respektojmë prindërit qofshin edhe qafirë, t’u bëjmë mirë prindërve qofshin këta edhe qafira dhe muslimani e arrin shpërblimin e mirëbërjes ndaj prindërit edhe në rastin kur prindrit janë qafirë.

Allahu i lartësuar në dy ajete në Kuran na këshillon që të respektojmë prindërit dhe po në këto dy ajete na ndalon që t’u bindemi prindërve në gjynah, veçse  thekson faktin që ne duhet t’u bëjmë shoqëri të mirë, t’u bëjmë mirë, t’u shërbejmë atyre në dynja, në punët e ligjshme, në gjërat e lejueshme, edhe pse ata janë qafirë.

Allahu i lartësuar në suren Lukman thotë: “Ne e porositëm njeriun që të sillet mirë me prindërit, sepse nëna e ka bartur dobësi pas dobësie (dobësia e shtatzënisë, lodhjet e shtatzënisë, pastaj dhimbjet, lodhja dhe mundimi i lindjes, pastaj periudha e gjidhënies, shumë e mundimshme për nënën, e kështu me radhë)…”

Allahu i lartësuar i përmend vuajtjet, vështirësitë dhe mundimet që heq nëna, për të prekur, për të ngacmuar ndjenjat e fëmijës që të tregojë respekt për të, të tregoj dhembshuri, t’i shërbej asaj, ta dojë atë, t’i gjendet pranë, sepse nëna ka hequr shumë për fëmijën. Dhe periudha e gjidhënies ka zgjatur dy vite.

Allahu i lartësuar na urdhëron që të jemi mirënjohës ndaj Zotit dhe të jemi mirënjohës edhe ndaj prindërve tanë. “…Kthimi juaj do të jetë tek Allahu”. Dhe pastaj Allahu i lartësuar do t’i gjykojë njerëzit për punët e tyre.

Por, në qoftë se prindërit kërkojnë prej teje që të bësh shok diçka për të cilën ti nuk ke dituri, diçka për të cilën nuk ka argument, aty mos i dëgjo, por bëju shoqëri të mirë prindërve në këtë dynja. Respektoji prindërit në punët dhe në gjërat e lejueshme. “Dhe ndiq rrugën e atyre të cilët kthehen tek Unë me teube, që më nënshtrohen Mua me ibadete.”

Kështu këshillon Allahu i lartësuar, këshillon robërit e Tij që të ndjekin rrugën e njerëzve të mirë, që bëjnë teube, që kthehen me nënshtrim tek Allahu i lartësuar.

“Pastaj ju do të ktheheni tek Une” Pas vdekjes njerëzit do të paraqiten tek Allahu dhe Allahu i lartësuar do t’i njoftojë për punët që kanë bërë.

Gjithashtu, Allahu i lartësuar në suren El Ankebut, thotë: “Ne e porositëm njeriun që të sillet mirë me prindërit, që t’u bëjë mirë prindërve.” …

 

Ismail Bardhoshi (shkëputje nga ligj. “Të drejtat në Islam”)

Daveti gif

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Shperndaje
Shperndaje