Një histori e këndshme në Teksas – Amerikë

abdess

Unë quhem Sharon, jam amerikane dhe jetoj në Teksas. Kur isha e vogël, isha mësuar ta adhuroja Zotin vetëm në kohën e Krishtlindjeve, të Pashkëve dhe në Ditën e Ndihmës së Nevojtarëve. Ne shkonim në kishë, por nuk e lejonim atë që të ndikonte në stilin tonë të jetës ose në gjëra të tjera. Në fund të fundit, njerëzit që e rrethojnë çdo gjë në jetën e tyre duke u bazuar tek Zoti janë të mërzitshëm dhe kanë nevojë për terapi, saktë?
Kështu, kjo ishte mënyra jonë e jetesës dhe familja ime dukej e qetë, deri kur unë arrita pubertetin. Unë doja të dija pse Zoti më krijoi dhe askush nuk mund të më jepte një përgjigje të kënaqshme. Ta jetosh këtë jetë për çfarë? Një shtëpi, një makinë dhe dy fëmijë nuk më dukeshin një arsye e mirë për të jetuar. Doja të bëja diçka të jashtëzakonshme për t’i dhënë jetës një qëllim dhe që mbrapa të gjithë të më kujtonin. Unë kisha probleme të shpjegoja vetveten dhe nuk kujdesesha për të. Vendosa të haja, të pija dhe të martohesha, sepse e dija që nuk kisha zgjidhje tjetër. Iu dedikova emocioneve, dëfrimit dhe ndjehesha mirë. Prindërit e mi ishin të mendimit se unë kisha nevojë për ndihmë dhe filluan të nxirrnin mbrojtjen e tyre të vetme– Biblën. Vendosa se ishte koha për të qenë vetëm. Prindërit nuk i kuptonin të drejtat e mia për t’u dëfryer dhe ishin shumë të mërzitshëm. U largova nga shtëpia me vetëm 5 dollarë me vete dhe shkova të jetoja me fëmijët e luleve. Jeta ishte vetëm një festë e madhe. Por filloi të më vinte keq për prindërit e mi në kohën e Krishtlindjeve dhe u ktheva në shtëpi. Por ata kishin planifikuar një surprizë fantastike për mua. Një shkollë riedukimi kristiane!
Menjëherë më bënë gati dhe më dërguan atje. Kështu u gjenda te kjo shkollë për vajza të pabindura dhe më çuan në një zyrë për të takuar evangjelistin: “Si quhesh?”, më tha dhe më dha një shtrëngim miqësor dore. I thashë emrin tim dhe tunda dorën e tij. Pastaj ai u mundua që të më habiste duke më thënë:
-Mos më jep mua atë shtrëngim dore prej hipie. Shumë shpejt do ta largojmë djallin prej teje.
Unë bëra gabim duke i thënë: -A mund të largohem dhe unë me të?
Pjesa tjetër e ditës kaloi duke më treguar krevatin tim dhe rregulloren. Hekura në dritare, të rrethuar nga gardhe me tela me gjemba dhe telefona të brendshëm në çdo dhomë, kështu që ata të mund të të dëgjojnë. Radio Bibla çdo mëngjes në orën 5:15, pastaj në klasë studim bible dhe në shtëpi studim bible dhe përsëri Radio Bibla për dy orë para se të binim në gjumë dhe të bëheshim gati për të nesërmen.
Qëkur vura këmbë aty, mendova që në momentin e parë që do të më jepej mundësia, do të ikja. Ditën tjetër e kapërceva telin me gjemba dhe u largova. Hipa në një makinë me një të huaj, i cili për fatkeqësinë time doli që ishte një nga punëtorët e tmerrshëm të shkollës së riedukimit kristian. Ai më ktheu në shkollë dhe më shoqëruan në zyrën e “Papës” për ndëshkim. Aty mora vesh se “Papa” ishte një burrë rreth 65 vjeç. Ai më pyeti për emrin. Unë isha shumë e inatosur, saqë iu përgjigja atij me fjalët:
-A flet shpesh me Zotin?
Ai tha: -Po, shpesh.
I thashë përsëri: -Atëherë pse nuk pyet Zotin se si është emri im?
U rraha ashpër me topuz nga një 24-vjeçar, i cili donte të kënaqte Krishtin duke më treguar vendin. Unë kurrë nuk i dhashë atij kënaqësinë që të më shihte duke qarë.
Çuditërisht jam shumë e gëzuar për të gjitha këto ngjarje sepse ky ishte fillimi i kërkimit për kishën e vërtetë të Jezusit. Unë isha e detyruar ta lexoja Biblën dhe e lexova për vete, jo për ata. Isha duke kërkuar të vërtetën për veten time. I kërkova Jezusit të më ndihmonte dhe të vinte në zemrën time. Supozohej që gjithçka të ishte mirë pas kësaj, por nuk ishte. Fantastike, tani do të shkoja në Parajsë [të gjithë ma siguronin këtë]!
Por pse nuk isha e gëzuar? Oh Zot, pse nuk më le të të tregoja problemet e mia? Pse duhet të kem ndërmjetës Jezusin? Jezusi është fantastik, por unë kam nevojë për ty.
Më në fund, shkolla e riedukimit më ktheu në shtëpinë time të dashur. Kur hyra në shtëpi, gjeta familjen që po hante mish derri. U mërzita shumë dhe u thashë se derri është i ndaluar dhe në Bibël thuhet: “Derri është dythundrak dhe e ka këmbën të ndarë, por nuk është ripërtypës. Për ju është i papastër.” (Levitiku: 7)
Ata më thanë se po i çmendja, se isha bërë një besimtare fanatike dhe nuk ishte normale që të shqetësohesha se çfarë mendon Zoti gjatë gjithë kohës. Prindërit më thanë se a kisha dëshirë që të më gjenin një vend tjetër për të jetuar.
Isha vetëm 15 vjeçe. Fillova të kërkoja për mësimet e Jezusit, por e dija se besimi tek Jezusi nuk ishte i mjaftueshëm, kisha nevojë për udhëheqje dhe përgjigje. Kalova një jetë shumë të vetmuar, edhe pse mendoja se isha e rrethuar nga njerëz. Shkova tek shumë, shumë kisha duke kërkuar lumturinë. Por kurrë nuk e kisha konsideruar Islamin si një mundësi, sepse priftërinjtë kristianë na kishin paralajmëruar tashmë për muslimanët se janë terroristë dhe barbarë dhe mënyrën se si ata përdorin dhunën për t’i kthyer njerëzit në fenë e tyre.
Gjithë këto gënjeshtra që më patën thënë për Islamin më mbajtën larg asaj që ta vija Islamin në listën e mundësive. Priftërinjtë tregojnë histori të gjata, por nuk ndërhyjnë dot në planet e Allahut.
E lexova Biblën për shumë vjet, sepse doja të isha e sigurt se cilën degë të Kristianizmit duhet të zgjidhja. Kisha dëgjuar shumë priftërinj protestantë që pretendonin se kishin Shpirtin e Shenjë, që i udhëheq dhe që të gjithë mësonin doktrina të ndryshme. Arrita të kuptoja se askush nuk mund të pretendonte asgjë nga mësimet biblike dhe e kuptova këtë kur u ndesha me shumë kundërshtime dhe gabime në të. Bibla e ditëve të sotme është mbledhur e bashkuar në shek. 16. Shkrimi i Biblës u mbikëqyr nga mbreti Xhejms, i cili kishte kontrollin e kishës në atë kohë. Biblat e sotme, që kemi ne, janë libra që përshtaten me interpretimin e dijetarëve të një shkolle të veçantë të mendimit. Kapitujt që nuk shprehin pikëpamjet e tyre nuk i përfshijnë në Bibël. Njeriu i rëndomtë kurrë nuk i ka parë këto kapituj, sepse gjendja shpirtërore vendoset nga këshilli i kishës, i cili funksionon poshtë politikës lëvizëse të qeverisë. Ngrita duart lart dhe u dorëzova për shkak të këtyre verseteve të Biblës:
“Lakuriqësia jote do të zbulohet dhe do të shihet gjithashtu turpi yt; do të hakmerrem dhe asnjeri nuk do të ndërhyjë.” (Isah 47:3)
“Por tani dëgjo, o epshndjellëse, që banon në një vend të sigurt dhe thua në zemrën tënde: “Unë dhe asnjë tjetër! Nuk do të mbetem kurrë e ve dhe s’kam për të njohur humbjen e fëmijëve.” (Isah 47:8)
“Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin.” (Hebrenjtë 2:18)
“Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.” (Xhejms: 1:13)
“Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë.” (1 Gjoni 3:2)
“Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.” (1 Gjoni 3:6)
“Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.” (1 Gjoni 1:8)
“Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” (Mateu 15:24)

Ai nuk tha se është dërguar për të gjithë njerëzimin:
“Dhe ai tha: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia.” (Mateu 1:17)
“Por Jezusi u tha atyre: “Asnjë profet s’është i përbuzur përveç në vendlindjen e tij, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” (Marku 6:4)
“Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.” (Hebrenjtë 2:9)
“Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Ti je Biri im, sot më je lindur?”
Edhe përsëri: “Unë do t’i jem Atë, dhe ai do të më jetë Birë?” (Hebrenjtë 1:4)
“Në fakt të gjitha ato që u ndodhin bijve të njerëzve u ndodhin kafshëve; të dy palëve u ndodh e njëjta gjë. Ashtu si vdes njeri, kështu vdes tjetri. Po, të gjithë kanë po atë frymë; dhe njeriu nuk ka asnjë epërsi mbi kafshën, sepse gjithçka është kotësi.” (Ecclesiastes 3:19)
“Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.” (Gjeneza 1:28)
“Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.” (Ecclesiates 9:5)
“Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë. (Psalmet 19:11)
“… por paraja i përgjigjet çdo nevojtari.” (Ecclesiastes 10:19)
“…dhe do të shpengoheni pa para.” (Isah 52)
“Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë.” (1 Timoti 6:10)
“Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.” (Deutoronomi 6:4)
Unë kam thënë: “Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.” ( Psalmet 82:6)
“…por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.” (Hebrenjtë 2:8)
“…edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.” (Hebrenjtë 1:3)
“…E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal.” (Gjeneza 32:30)
“Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë.” (1 Gjoni 4:10)
“Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.” (Proverbat 20:1)
“Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.” (1 Timoti 5:22)
“Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: “Të jeni të frytshëm, shumëzohuni.” (Gjeneza 1:22)
“…mirë është për njeriun të mos prekë grua.: (1 Korintas 7:1)
“I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.” (2 Timoti 3:16)
“Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim,…” (1 Korintasit 7:6)
“Por, sipas gjykimit tim, ajo është më e lumtur, po mbeti ashtu; dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë.” (1 Korintas 7:40)
“…i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë,…” (Filipinasit 2:5)
“Por në qoftë se ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?” (Gjoni 5:57)
“Unë shfrytëzova kishat e tjera,” [thotë Pauli] 11:8
“Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia.” (1 Gjoni 3:9)
“Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.” (Gjoni 5:30)
“Atëherë Jezusi u tha atyre: “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar.” (Gjoni 8:42)

Dhe lista vazhdon e vazhdon…

Për këtë arsye unë isha e çoroditur. U binda se Zoti më urrente, sepse nuk po më linte të gjeja të vërtetën. Gjatë kësaj kohe një e njohura e imja më dërgon një broshurë për Islamin. Ajo ishte amerikane si unë. U ndjeva keq për humbjen e kohës nga shoqja ime. Isha e sigurt që ajo ishte treguar mendjelehtë dhe e kishte lënë burrin e saj arab t’i bënte lavazh truri.
E hapa broshurën sepse isha e sigurt që ishte një budallallëk dhe ishte një mënyrë e mirë për t’u tallur me ata, muslimanët. Broshura thoshte: “Mendo me kujdes për Trinitetin”. Unë kisha takuar gjithmonë arabë pijanecë dhe muslimanë që nuk e praktikonin fenë e tyre. Ata njerëz ishte e thjeshtë t’i mundje. Mjaftonte t’u thosha: “Shikoni! Ju nuk mund të besoni në fenë tuaj, sepse ju nuk praktikoni atë që feja juaj ju urdhëron!” Por djali që kishte shkruar këtë broshurë ishte një lloj tjetër arabi- për fatkeqësinë time jo i lehtë. Ndalova së lexuari në mes së broshurës sepse arrita të kuptoj: Ai e di të vërtetën!
Nuk mund ta besoja këtë. Zoti u ka dhënë muslimanëve të vërtetën! Ato janë arabë! Unë nuk jam një arabe! Kjo është një fatkeqësi! Unë nuk mund të jem një muslimane! Çdokush që njihja i urrente muslimanët. Unë duhet të vishem si ato gratë dhe të heq trukun tim të dashur. Oh, Zot, si mund të ma bësh këtë?
Pastaj mendova: Do të bëj një pakt me Zotin. Shumë mirë, ato mund të mos e kenë të vërtetën dhe nuk isha e sigurt nëse ato e kishin të vërtetën, kështu që thjesht do ta harroja të gjithë këtë.
Atëherë isha vetëm 15-vjeçare, kurse tani isha 26 vjeçe. Isha e vetmuar. Iu luta Zotit të më jepte një bashkëshort. I kërkova një burrë besimtar (kisha ndërmend një kristian, kur e bëra këtë kërkesë). I bëra Zotit një premtim solemn: Do të martohesha me njeriun e parë që do të më kërkonte (këtë do ta merrja gjithashtu si shenjë).
Allahu gjithmonë i është përgjigjur kërkesave të mia. Njeriu i parë që më kërkoi për t’u martuar ishte një palestinez. Ai kishte dy gjëra që unë nuk i desha tek një burrë. Ai ishte arab dhe musliman. Megjithatë ai ishte ndryshe nga çdo burrë tjetër që unë kisha takuar. Ai nuk pinte. Iu ankova Zotit, isha e bindur se Zoti më dërgoi një arab musliman që të më kërkonte të martohesha sepse më urrente mua. Tani isha e inatosur me Zotin dhe vendosa të martohesha me këtë musliman sepse Zoti nuk donte të më ndihmonte. Gjithashtu, duhet të them se me këtë burrë përjetova dashuri me shikim të parë. Gjëja më e çuditshme ishte se ai dukej se dinte çdo gjë për të cilën unë kisha nevojë. Ishte hera e parë që e ndjeva se një qenie tjetër njerëzore më donte mua. U martuam. Martesa jonë ishte e tmerrshme. I thashë atij që kurrë, kurrë të mos diskutonte me mua për fenë e tij dhe ai nuk e bëri. E bëra që të kalonte shumë vështirësi në fillim. Kur një natë, ai solli në shtëpi një Kuran për mua. Ai ma drejtoi librin dhe me shpjegoi se ky ishte i gjithë libri dhe më tha se po të doja, mund ta lexoja. Përgjigja ime në sy të tij ishte: “Pse duhet ta lexoj?! Lëre aty, nuk e dua!” Prita derisa ai shkoi në krevat dhe e zuri gjumi. U luta: “O Zot! Më trego nëse ky libër është i vërtetë. Në qoftë se libri është i vërtetë, do ta pranoj. Në qoftë se është i rremë, më trego.”
Hapa Kuranin dhe rastësisht lexova:
“Lexo! Me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Ka krijuar njeriun nga Alak (copë gjaku e mpiksur në mitrën e nënës). Lexo! Dhe Zoti yt është më i Begati Dhurues. Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ai i mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Suretu El-Alak, 1-5)
Çuditërisht ndjeva disa emocione të reja. E shfletova librin duke e hapur në një tjetër vend dhe lexova:
“Dhe vërtet ka edhe nga popujt e Librave të Parë (jehudi e të krishterë) prej atyre të cilët besojnë në Allahun dhe në atë që iu është shpallur juve dhe në atë që u është shpallur atyre më parë, duke iu nënshtruar plotësisht Allahut dhe të cilët nuk i shesin Vargjet e Allahut për një çmim të vogël. Për këta shpërblimi është me Zotin e tyre. Vërtet, Allahu është më i Shpejti në llogari.” (Suretu Ali-Imran, 199)
Papritmas ndjeva qetësi për faktin se e kuptova se po prekja diçka me të vërtetë madhështore për herë te parë. U frikësova sepse e kuptova se po mbaja ndër duar fjalët e vërteta të Zotit. Pastaj e kuptova për herë të parë që Zoti nuk më urrente, sepse më la të gjeja këtë mrekulli. Ndjeva kënaqësi.
Kisha gjetur thesarin. Më në fund kisha gjetur të vërtetën. Pastaj u ndjeva e turpëruar që isha treguar aq arrogante kundrejt Krijuesit tim, Allahut, mëshiruesit të madh. E kuptova që Allahu më kishte mëshiruar sepse gjeta të vërtetën, edhe pse nuk isha duke e kërkuar. Allahu e dërgoi mëshirën e Tij tek një e mjerë e verbër. Qëndrova e ulur për disa kohë duke menduar për thesarin tim të gjetur. Ishte ora 4 e mëngjesit. Vrapova të zgjoja burrin tim: -Shpirt! Zgjohu! Dua të të tregoj diçka që ti s’e di!
Burri u zgjua dhe tha: -Kam punë nesër, për çfarë do të më flasësh?
-Ai libri që më dhe është një mrekulli prej Zotit. Pse nuk dilni ju të bërtisni nga majat e maleve për këtë libër?”
Burri më buzëqeshi: -Çdo ajet ka mrekulli, por jo çdokush do të dijë për të.
Ne kemi pesë fëmijë tani dhe kemi 15 vjet martesë. Islami është rruga e jetës time. Tani, kur injorantët më sulmojnë, se përse vendosa që të mbaja shaminë, u jap një buzëqeshje dhe tregohem e durueshme. Dikur edhe unë kam qenë një injorante. I kuptoj se nga vijnë këto mendime, por nuk dua të kthehem.
Ju nuk mund ta besoni por: dëshmoj se nuk ka zot tjetër me meritë përveç Allahut, i Cili e meriton me të drejtë që të adhurohet dhe Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij!
Kjo është e gjitha se si duke kërkuar në Ungjillin e Jezusit, gjeta rrugën për në Islam.

Marrë nga libri: “Elharabat min elxhehijm”
Përktheu: Arsen Muskurti

Daveti gif

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Shperndaje
Shperndaje