Interviste me Hoxhë Genc Plumbin ”Shamia të mos paragjykohet”

Genc PllumbiInterviste me Hoxhe Genc Plumbin
Drejtor Ekzekutiv pranë Lidhjes se Hoxhallarëve të Shqipërisë

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu! Allahun e falënderojmë ndërsa paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin [salAllahu alejhi ue selam]. Hoxhë i nderuar ju falënderojmë për kohën që keni nda për intervistën tonë, që së bashku për disa çaste të ndihmohemi në mirësi dhe devotshmëri, me qëllim të arritjes se mirësisë dhe devotshmërisë.

– Faqja jonë“Në Mbrojtje të Shamisë” synon të merret vetëm me tematikën e të drejtës së bartjes sëshamisë me fokus në trojet tona shqiptare, a mendoni se sot duhet të intensifikohen aktivitetet e xhematit, hoxhallarëve, organizatave të ndryshme dhe institucioneve fetare në mbrojtje të këtij obligimi fetar dhe a mendoni se shamia është nga simbolet e fesë që është duke u sulmuar më së shumti tek ne shqiptarët kudo që jemi?

Fillimish falënderoj Allahun e Lartësuar që ka bërë të mundur ekzistencën e kësaj iniciative si kjo e juaja dhe kjo padyshim është një mirësi prej mirësive të Tij të shumta, për arsye se në thelb kjo tregon se bashkësia e myslimanëve është ndërgjegjësuar thellë për rëndësinë e normave islame në përgjithësi dhe ato të veshjes në veçanti. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, madhëromi i riteve të Allahut vjen prej zemrave të devotshme.”
Në ditët e sotme sfidat për myslimanët sa vijnë dhe shtohen. Kjo tregon se Islami po përjeton një lëvizje dinamike të vazhdueshme që sa vjen dhe forcohet. Kjo ka ardhur si rezultat i saj që përmenda pak më lart, pra si rezultat i një ndërgjegjësimi masiv të popullsisë në trojet shqiptare në lidhje me rëndësinë e riteve dhe normave fetare në jetën e tyre të përditshme. Nga ana tjetër ky dinamizëm ka zënë ngushtë pjesën tjetër të shoqërisë që nuk i sheh të arsyeshme ekspozimin e këtyre riteve dhe normave në jetën publike, sepse sipas tyre edhe hapësira publike ka një natyre laike që duhet respektuar. Dëshira e myslimanëve, dhe në këtë rast e vajzave myslimane për të ekspozuar ritet dhe normat që ua dikton feja që kanë përqafuar,është përballuar me një shqetësim në rritje të krahut tjetër të shoqërisë që nuk ndan të njëjtin mendim dhe që në një formë apo tjetër ka reflektuar refuzimin e vet përmes “demonstrimeve të forcës” që në terren është përkthyer në përjashtimin e këtyre vajzave nga shkollat apo hapësirat e tjera publike, të cilat padrejtësisht konsiderohen si hapësira laike. Në këtë mënyrë është e rëndësishme që mbrojtja e të drejtës së veshjes së shamisë islame të jetë e organizuar, e mirëkonceptuar dhe në përputhje me situatën në terren. Kjo bën të domosdoshme që myslimanët të organizohen në grupe interesi të thjeshta, siç janë shoqatat dhe fondacionet sipas ligjeve në fuqi dhe më pas të krijojnë lobingje të mëdha me ndikim të madh në shoqëri. Kjo bën të mundur që myslimanët si palë interesi të jenë prezentë në formulimin dhe diskutimin e ligjeve në arsim dhe në jetën publike, bën të mundur që të demostrojnë prezencën e tyre përmes tubimeve, seminareve, simpoziumeve etj. të cilat sjellin ndërgjegjësimin e mëtejshëm të shoqërisë për të drejtën e mbajtjes së shamisë nga vajzat myslimane dhe bën të mundur kundërshtimin profesional të arsyeve dhe justifikimeve që ngrihen për ndalimin e veshjes së shamisë në ambientet publike etj.
Përsa i përket shamisë, ajo nuk është një simbol fetar, por një normë fetare që ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjedhjen individuale të vajzave myslimane për ta mbajtur, në zbatim të kërkesave të fesë që ajo i përket. Shamia në vetvete nuk ka asnjë mesazh, ajo thjesht është një mjet për të mbuluar ato pjesë të trupit që Islami i konsideron të turpshme, siç është rasti i flokëve tek gratë, por edhe rasti i pjesëve të tjera të trupit që duhen mbuluar si tek burrat po ashtu edhe tek gratë. Sulmet kundër shamisë janë të kuptueshme. Nëse kthehemi në retrospektivë do të shohim se komunizmi e filloi “punën bindëse” për ideologjinë “përparimtare” nga shamia, për arsye se shamia ishte treguesi më i dukshëm i kapjes pas normave fetare tek familja në përgjithësi dhe tek gruaja në veçanti. Nëse nuk “do të çlirohej” gruaja nga idetë “prapanike”, atëherë ishte e pamundur për shoqërinë që të çlirohej prej tyre. Nga ky aspekt themi se përhapja e shamisë në ambientet publike është sinjali i parë i ndërgjegjësimit fetar të njerëzve dhe kthimit të tyre tek feja. Sigurisht kjo i shqetëson ata që deri dje mendonin se Islami kishte hyrë në një komë të pakthyeshme, por që pas rrëzimit të komunizmit u vërtetuar e kundërta.

– Tranzicioni që ka pësuar shoqëria shqiptare nga koha e Shpalljes së Pavarësisë se cunguar më 1912, a ka qenë në funksion të trendëve të rëndomta shoqërore të kohës, apo ka pas projekte të hartuara nga të tjerët për ta ulur vlerën e shamisë (mbulesës), edhe sot a ka trendë të tilla dhe në funksion të kujt mund të jenë këto projekte për denigrimin e femrës shqiptare?

Është fakt se kulturat dhe civilizimet i lënë vendin njëra-tjetrës dhe si pasojë njëri civilizim që vjen demostron forcën mbi civilizimin që ikën përmes shtrirjes në ide dhe territor. Këtij procesi i janë nënshtruar edhe trojet shqiptare pas largimit të Perandorisë Osmane, e kurorëzuar me Shpalljen e Pavarësisë. Kur flasim për civilizime flasim padyshim për një mënyrë të kuptuarit të jetës dhe të jetuarit. Para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë trojet shqiptare kanë përjetuar një tkurrje të ndikimit të Islamit, që si rrjedhojë është reflektuar edhe tek mbajtja e shamisë apo e nikabit. Kjo ndodhi si pasojë e ndikimit të civilizimeve të tjera, të cilat nuk ndajnë me Islamin të njëjtin kocept për jetën dhe mënyrën e të jetuarit. Kur fola për komunizmin, fola pikërisht për këtë dhe padyshim që çdo sistem që vjen ka një axhendë të cilën përpiqet të vërë në jetë për të arritur ato objektiva në të cilat beson, ku bënte pjesë edhe denigrimi dhe shpërfillja e shamisë në jetën publike. Në epokën post-komuniste feja në përgjithësi përjetoi një frymëmarrje dhe fitoi liri të shumta, të cilat i ishin privuar në sistemin që kaloi. Nga ky aspekt, ardhja e demokracisë që shoqërohet përgjithësisht nga fryma liberale dhe ajo laike ka patur një ndikim pozitiv në liritë fetare ku bën pjesë edhe mbajtja e shamisë, por herë pas here këto bindje të ndryshme nga ato islame përpiqen të imponojnë vetveten me demostrime nga ato që përmendëm, por që përgjithësisht janë një më shumë një fenomen shqiptar sesa laik në vetvete, për arsye se të tilla reagime do t’i gjejmë shume të rralla në Perëndim.

– Dihet nga historia e religjioneve se edhe tek dy fetë e tjera që kanë poseduar libra qiellorë, ato Hebreje dhe Krishtere, mbulesa ka qenë obligative. Si erdhi ky ndryshim kaq i madh tek këto fe në nivel botëror?
Revolucioni Francez bëri të mundur shkëputjen e kishës nga shteti, por efektet e këtij revolucioni kanë zgjatur në shekuj dhe janë transformuar herë pas here. Laicizmi dhe ateizmi në Perëndim, që sipas mendimit tim mori përmasa të jashtëzakonshme, erdhi si pasojë e pamundësisë së krishterimit për ofruar një alternativë të pranueshme për jetën që t’i përshtatej ndryshimeve dhe nevojave të kohës. Kjo bëri që njerëzit të kërkonin alternativa të tjera, që përgjithësisht kishin për bazë një version njerëzor për mënyrën dhe normat e të jetuarit, pra sekuralizmin dhe në disa shoqëri të tjera edhe ateizmin. Kjo solli kundërshtimin mbajtjes së shamisë si një normë kristiane, që sipas “ideve të reja” i përket të shkuarës dhe nuk ofron komoditetin që njerëzit kërkojnë sot. Si pasojë mbajtja e shamisë në perëndim është një fenomen i izoluar ose vihet re në zona më tradita konservatore. Tek jehuditë shamia vazhdon të jetë prezentë për arsye se rrethanat historike kanë qenë të atilla për këtë komunitet sa që kapja pas indidetit fetar të ishte jetike për ekzistencën e tyre.

– Duke u bazuar në atë që thatë më lart, cila mund të jetë rruga e kthimit të traditës së shamisë në trojet tona shqiptare?

Së pari,është me rëndësi që shqiptarët të njihen me traditën dhe të kaluarën e tyre fetare. Për efekt të regjimit komunist që kanë kaluar shqiptarët shumë prej tipareve islame të historisë së tyre janë zbehur apo janë fsheur qëllimisht nga ky regjim, në mënyrë që shqiptarët ta humbasin lidhjen organike që kanë me të kaluarën e tyre islame dhe të hedhin sytë diku tjetër. Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj historie është shamia dhe këtë e vërtetojnë shumë dokumente filmike, fotografike apo publistike të kohës. Së dyti, duhet që shqiptarët të ndihen krenarë për të kaluarën e tyre islame, për arsye se përmes Islamit shqiptarët rrënjosën edhe më thellë karakteristikat e tyre pozitive, siç ishte besa, sinqeriteti, burrëria, mëshira, toleranca etj., madje Islami ishte kodi i tyre shoqëror më i përkryer që sistemoi marrëdhëniet ndërnjerëzore në kohë të vështira ku mungonte ligji dhe siguria. Shamia ka qenë gjithmonë prezente në familjet shqiptare, madje nuk mund të konceptohet dot një grua shqiptare me tradita pa patur veshur mbi kokën e saj një shami. Për këtë arsye, thirrjet për largimin e shamisë nga jeta shoqërore dhe publike e shqiptarëve jo vetëm që nuk përshtaten me memorien historike tëtyre, por do të dështojnë për faktin se nuk janë të natyrshme për ambientin shqiptar.

– Shamia nga disa paragjykohet, kuptohet si mbyllje në vete, cënim i lirisë së femrës, barrë e rëndë mbi supe e deri tek mënyrë e imponuar e veshjes nga burrat, cila është këshilla juaj për këtë?
Këto janë vetëm pretendime, madje janë vetëm hamendësi, të cilat janë hedhur poshtë nga mjaft studime bashkëkohore. Në anketimet e bëra së fundmi me shumë gra të mbuluara në lidhje me këto hamendje ka rezultuar se veshja e shamisë ka qenë me zgjedhje të lirë për një numër gati absolut të grave të mbuluara, se vetëm në pak raste të veçuara ka rezultuar që të jenë dhunuar për veshjen e shamisë etj. Nëse shamia do të kishte qenë një barrë e rëndë nuk ka asnjë kuptim që numri i vajzave të mbuluara të shtohet dita ditës. Realiteti e hedh poshtë vetvetiu këtë pretendim. Në dy dekadat e fundit prezenca e grave që mbajnë shami është shtuar së tepërmi, madje prezenca e tyre është mjaft e dukshme dhe evidente në ambientet publike. Mendoj se kjo përhapje është edhe shkaku i këtyre hamendësive, që kanë për qëllim krijimin e një amullie në mendjet e atyre vajzave që mendojnë të veshin shaminë, por që falënderimi i takon Allahut që efekti i tyre ka qenë minimal.

– Me cilat mjete më së shumti sot luftohet shamia dhe cilat janë shkaqet më efikase për t’u mbrojtur nga këto sulme?
Mjetet që përdoren sot janë mjaft të njohura, ku një rol të madh luan media që në mënyrë profesionale manipulon të vërtetat dhe nxit përhapjen e fushatave anti-shami në format nga më të ndryshmet. Po kështu edhe fobia që përhapet herë pas herë nga elitat laike, ato politike apo kulturore, duke krijuar alarme të rreme për rrezikin e “islamizimit” të hapësirave publike dhe laike përmes shamisë. Disa nga mënyrat efikase për mbrojtjen e shamisë i përmenda në përgjigjen time për pyetjen e parë.

– Ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla publike si e shikoni ju, si një sihariq të mirë për shtimin e praktikueseve apo si tendencë për zhdukjen e tërësishme të kësaj pjese të fesë?
Ndalimi i bartjes së shamisë në shkolla është një përpjekje për të minimizuar prezencën e shamisë në ambientet publike me justifikimin se këto ambiente janë laike. Ky është një justifikim totalisht i pabazë, por që mund të diskutohet në një artikull të veçantë. Kjo fushatë është përgatitur si pasojë e asaj që thashë pak më lart, pra ndërgjegjësimit të shqiptarëve për t’iu kthyer vlerave të tyre fetare dhe demostrimin e këtyre vlerave në mënyrë publike si një e drejtë e tyre e pakontestueshme. Kjo ka shqetësuar qarqet të cilat me keqdashje e intepretojnë laicizmin si ateizëm dhe hapësirat publike si hapësira laike. Siç e thashë më lart bëhet fjalë për një përpjekje për ta minimizuar dhe jo për ta zhdukur për arsye se vetë kundështarët nuk e besojnë se mbajtja e shamisë mund të zhduket.

– Cilat mund të jenë masat konkrete që mund t’i marrim ne si xhemat së bashku me hoxhallarët dhe institucionet fetare që të realizohet e drejta e bartjes sëshamisë në shkollat publike në Kosovë edhe në Shqipëri pa u penguar?

Hoxhallarët si prijës islamë duhet të jenë pararoja e çdo përpjekje që mund të bëhet në mbrojtje të shamisë, duke kërkuar ndihmën ligjore, mediatike dhe atë të këshillimit nga individë të caktuar në xhemat që janë njohës të ligjeve, të medias dhe të të drejtave, në mënyrë që reagimet nëpër hytbe apo ligjërata të shoqërohen me përpjekje ligjore për të dënuar sipas ligjit ata që përpiqen për ta cënuar këtë të drejtë apo për të kundështuar çdo nismë ligjore që synon largimine vajzave me shami nga ambientet arsimore. Shpeshsherë ana ligjore dhe ajo mediatike kanë munguar në përpjekjet që janë bërë për ta mbrojtur këtë të drejtë, gjë e cila duhet korrigjuar në të ardhmen.

– Cili është mesazhi i juaj për ato vajza që hezitojnë të vendosin shaminë nga frika e përjashtimit nga shkolla?
Vajzat që dëshirojnë të vendosin shaminë duhet ta kenë parasysh se me këtë veprim ato po zbatojnë një normë islame, e cila kënaq Allahun e Lartësuar dhe që në asnjë moment nuk e lë në baltë robin e Vet, i cili përpiqet ta kënaqë. Nuk duhet të harrojmë se në realitetin shqiptar post-komunist të viteve 90’ ishte e paimagjinueshme që një vajzë të mbulohej, por me shumë këmbëngulje dhe besim këto vajza dhanë shembullin më të mirë të dëshirës për ndryshim. Rrugët e mbushura me gra të mbuluara janë padyshim fryt i këmbënguljes së këtyre vazjave që sot janë nëna dhe po edukojnë një brez tjetër edhe më të fuqishëm dhe këmbëngulës se më parë. Nëse vërtetë ato kanë vendosur të ndryshojnë dhe të kalojnë në një etapë tjetër të jetës së tyre tashmë të bazuar mbi normat e Islamit, të jenë të bindura se asgjë nuk mund t’i ndalojë dhe se kurrë nuk do të jenë vetëm në luftën e tyre. Prandaj nuk kanë asnjë arsye për luhatje dhe asnjë arsye për një kthim prapa.

– Cili është obligimi i ynë si shoqëri islame karshi vajzave që përjashtohen nga shkolla për shkak të mbulesës?
Obligimi ynë është që t’i qëndrojmë pranë me të gjitha format e mundshme dhe ligjore, dhe mbi të gjitha duhet që njerëzve të thjeshtë t’u përcillet mesazhi se muslimanët janë njerëz që e duan dijen dhe se askush nuk mund t’i privojë ata prej saj. Rrethi shoqëror dhe familjet e shëndosha që kanë parime islame mund të luajnë një rol të pazëvendësueshëm në mbrojtjene këtyre vajzave. Këtu i referohem kundështimit që i bënë vendimit për të larguar një vajzë me shami disa nxënëse në një shkollë në Mitrovicë, gjë e cila tregoi se shqiptarët ende janë një shoqëri që duan fenë dhe e sakrifikojnë për të. Nga ana tjetër ka plot njerëz të mendjes, myslimanë dhe jo myslimanë, që kur vjen puna për të drejtat e njeriut për t’u arsimuar dalin në mbrojtje të këtyre vajzave dhe i dënojnë rëndë vendimet për përjashtimin e tyre. Pra me një fjalë, ne dhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të bëhet pjesë e zgjidhjes së kësaj problematike, gjë që kërkon prej nesh një fushatë të gjërë sensibilizimi në media, forume, takimet etj. në mënyrëqë çështja e shamisë në shkolla të kthehet në një çështje të të gjithë shoqërisë shqiptare.

– Mund të na thoni shkurtimisht ndonjë sakrificë që muslimanet e hershme kanë bërë për shaminë ?
Historia islame është e mbushur me qëndrime në mbrojtje të shamisë. Kujtojmë këtu ngjarjen e një sahabiu në treg, ku çifutët lidhën shaminë e një gruaje që po qëndronte ulur me këpucët e saj dhe kur u ngrit shamia dhe xhybja që mbulonte trupin e saj ranënë tokë dhe gruaja u zbulua. Sahabiu që pa këtë ngjarje u prek së tepërmi dhe në zemërim esipër vrau çifutin që bëri një veprim të tillë dhe më pas u vra nga çifutët e tjerë. Kujtojmë gjithashtu qëndrimin e grave të Shkodrës, të cilat pas urdhrit të mbretit Zog për të hequr shaminë refuzuan të dilnin në rrugëpa shami dhe lëviznin duke shfrytëzuar oborret e fqinjve për të kaluar në një vend në tjetrin për të plotësuar nevojat ekonomike dhe sociale të ditës. Shembuj të tillë nga jeta e myslimanëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti janë të shumtë.

– Për fund, një këshillë nga ju për iniciativën “Në Mbrojtje të Shamisë”. Allahu jua shpërbleftë me të mirat e Tij, me Xhenet në këtë dunja edhe me Firdeus në Ahiret!

Këshilla ime është që nisma juaj të jetë e sinqertë për të kënaqur Allahun e Lartësuar në mënyrë që ajo të këtë bereqet dhe të japë rezultat e pritura. Nga ana tjetër do t’ju këshilloja që të këmbëngulnit në objektivin tuaj dhe të mos stepeshit në asnjë moment derisa të shihnit qëllimet tuaj të bëra realitet në terrenin shqiptar. Kjo padyshim është shenjë e dashurisë tuaj për fenë dhe një krenari për të gjithë kombin shqiptar që ka nxjerrë nga gjiri i tij njerëz që u djeg zemra për fenë madhështore të Islamit dhe që do të vazhdojnë të mbrojnë pa kursim traditën e bukur islame tek shqiptarët. Allahu e vendostë në peshorën e veprave të mira përpjekjen tuaj fisnike.

Hoxhe i nderuar edhe njëherë ju falënderojmë për këshillat dhe realitetet që nxjerrët para nesh, duke treguar edhe njëherë qe Shamia dhe e drejta e saj janë pjese e identitetit tone si musliman me fe, si shqiptarë me kombësi dhe si njerëz si lloj i krijesave. Lusim Allahun qe ritet e Tije të madhërohen gjdoherë në zemrat tona e të dalim para Allahut duke qen Ai i kënaqur me ne.

Falënderimi me lavdërim i takon vetëm Allahut, ndërsa paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mi të Dërguarin e Tije [Muhamedin salAllahu alejhi ue selam], mbi familjen e tije shokët dhe mbi të gjithë që pasojnë rrugën e tije deri në ditën e Gjykimit.krema2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Shperndaje
Shperndaje