MUAJT E HAXHIT DHE VLERA E TYRE

HaxhO ju njerëz, frikojuni Allahut dhe falënderoni për atë që jua ligjësoi prej legjislacioneve të madhërishme, dhe për atë që ju veçoi prej muajve të dobishëm, të cilat ju përsëriten çdo ditë, çdo javë e çdo vit dhe sjellin me vete çdo të mirë dhe e largojnë prej jush çdo të keqe.

Namazi largon nga e shëmtuara dhe imoraliteti, është frikërespekt dhe nënshtrim ndaj Allahut, dhe është ndihma më e madhe e besimtarit në bartjen e përgjegjësive të dynjasë dhe ahiretit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit”. Bekare 153.

Zeqati është bamirësi dhe shtrirje dore për fukarenjtë dhe nevojtarët, nxitje për ata që duhet përfituar zemrat e tyre të dobëta në besim, ndihmesë për lirimin e robërve dhe të mbyturve në borxhe, dhe pastrim i pasurisë dhe i shpirtrave të njerëzve. Zeqati pra, është trofe për besimtarin e jo gjobë dhe humbje. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka”. Teube 103.

Zeqati po ashtu është shkak i shtimit të pasurisë dhe shkak i zbritjes së bereqetit në të dhe mbrojtje e saj prej çdo fatkeqësie. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Dhënia e zeqatit nuk e pakëson pasurinë”. 

Besimtari pra, e konsideron zeqatin trofe për shkak se beson thellësisht në premtimin e Allahut, në krahasim me dyfytyrëshin i cili e konsideron si gjobë për shkak se nuk i beson Allahut dhe premtimit të Tij.

Agjërimi është lënie e ushqimit dhe epsheve për të cilat shpirti fort anon nga ato, duke iu nënshtruar Allahut me këtë adhurim dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. Po ashtu nuk duhet të harrohet roli edukator i agjërimit i cili nxit në moral të mirë dhe largon prej moralit të shëmtuar. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk është agjërimi abstenim (vetëm) prej të ngrënit dhe të pirit, por agjërimi është zmbrapsje nga e kota (fjalë dhe punë) dhe e ndyra. E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: Unë po agjëroj, unë po agjëroj!”.

Haxhi është luftë në rrugë të Allahut. Besimtari për të shpenzon pasurinë, e lodh trupin e tij dhe për hir të Tij e len familjen e vatanin. Me shkuarjen në Haxh besimtari i përgjigjet thirrjes së Allahut e cila erdhi nëpërmjet gjuhës së mikut të Tij, Ibrahimit, alejhi selam, kur i tha Allahu atij:“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato(mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. Haxh 27-29.

O ju robër të Allahut,

Tani jemi në muajt e Haxhit të cilat Allahu i bëri sezon nga ku fillojnë ritet e haxhillëkut. Allahu, azze ue xhel, thotë“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” Bekare 197.

Allahu na lajmëron se koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar, e ato janë: Sheval, Dhul Kade dhe dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes. Të caktuara janë për shkak se njerëzit i njohin prej kohës së Ibrahimit, alejhi selam, dhe Ismailit, alejhi selam, dhe nuk ka nevojë për qartësimin e saj sikur se nevojitet qartësimi i kohës së agjërimit dhe namazit.

Thënia: “Kush vendos të kryejë haxhillëkun” e ka për qëllim se kush e bën nijetin për Haxh në këto muaj qoftë në fillim të saj, në mes apo në fund, i bëhet obligim kryerja e tij qoftë edhe vullnetar Haxhi i tij, dhe nuk lejohet refuzimi i kryerjes së tij.

Thënia: “le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet” na qartëson se si duhet të jetë etika e haxhiut dhe cilave vepra duhet t’i largohet gjatë të qenit e tij në ihram. Haxhiu duhet të jetë i vetëdijshëm se Haxhi është adhurim i madh dhe se duhet t’i largohet mëkateve dhe ndalesave të cilat mund t’ia zvogëlojnë shpërblimet ose t’ia shkatërrojnë Haxhin. Prej ndalesave, janë marrëdhëniet seksuale dhe çdo vepër apo thënie që nxit në të, sharjet dhe grindjet të cilat nxisin në sherr dhe armiqësi dhe e largojnë haxhiun prej përmendjes së Allahut. Qëllimi i Haxhit është nënshtrim dhe afrim kah Allahu me adhurime dhe largim prej mëkateve që Haxhi i tij të pranohet. Përcillet prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, të ketë thënë se haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç se xhenetin.

Pasi që afrimi nga Allahu nuk realizohet përveçse duke u larguar prej mëkateve e duke vepruar vepra të mira, Allahu, azze ue xhel, urdhëroi në vepra të mira gjatë Haxhit pasi që ndaloi prej atyre të shëmtuarave duke thënë: “Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di”.Nëpërmjet këtij ajeti Allahu nxit në vepra të mira veçanërisht gjatë ditëve të Haxhit në ato vende të bekuara si Arafati e Muzdelifa, duke mos e harruar edhe Qabenë ku veprat në të shumëfishohen më tepër se në vendet tjera. Përcillet prej haditheve se një namaz në Qabe është më me vlerë se njëqind mijë namaze në xhamitë tjera.

Prej grindjeve dhe polemikave të ndaluara gjatë Haxhit janë edhe ato të cilat ndodhnin mes fiseve në periudhën e injorancës në sezonin e Haxhit dhe në kompleksin e Haremit, duke u krenuar mes veti me paraardhësit dhe fiset e tyre kështu që kohën e Haxhit e shndërronin nga adhurimi në polemika e debate.

Në kohën tonë u paraqitën disa njerëz të cilët dëshirojnë që ta ringjallin këtë traditë injorante dhe ta shndërrojnë Haxhin në rite djallëzore duke bërë shirk e mëkate dhe duke i dëmtuar haxhinjtë e duke e synuar shkatërrimin e shtëpisë së Allahut. Këta njerëz nuk kanë aspak respekt ndaj shtëpisë së Allahut, ndaj vlerës së ditëve të Haxhit dhe ndaj muslimanëve që i braktisën familjet e tyre për ta kryejnë shtyllën e pestë të Islamit dhe ta fitojnë xhenetin e Allahut.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet”.Bekare 197.

Allahu, azze ue xhel, për Qaben thotë: “Vërtet, ata që nuk besojnë dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe nga Xhamia e Shenjtë, të cilën Ne e kemi bërë të njëjtë për të gjithë njerëzit, si për vendasin ashtu edhe për atë që vjen nga tjetër vend dhe, ata që synojnë ta përdhosin (Xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm”. Haxh 29.

O Zot, kush i dëmton haxhinjtë dhe vizitorët e Qabesë dhe synojnë shkatërrimin e saj bëri që ta shijojnë dënimin Tënd më të dhembshëm, të cilin ia premtove çdo njërit që synon shkatërrimin e saj, se Ti ke mundësi të veprosh çka do. O Zot, Ti i cili i dërgove shpendët të vinin tufë-tufë kundër ushtrisë së elefantit dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar dhe ata i bëre si gjeth i grimcuar (i përtypur), shijoja të njëjtin dënim atyre që synojnë të bëjnë të njëjtën vepër të shëmtuar, se Ti neve na mjafton dhe sa mbështetës i mirë që je.

O ju njerëz,

Frikojuni Allahut dhe shfrytëzoni kohën tuaj në vepra të mira që të shpëtoni dhe mos u bëni si ata të cilët kohën e tyre e kaluan në gjëra të kota, e pastaj të pendoheni kur t’ju vjen vdekja. Allahu, azze ue xhel, thotë“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova! Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen”. Muminun 99-100.

O ju robërit e Allahut, merita e Allahut mbi ju është e vazhdueshme. Pas muajit të Ramazanit i bëri muajt e Haxhit mëshirë për njerëzit dhe i nxiti që ta vizitojnë shtëpinë e Allahut, sikurse e bëri që ai i cili e agjëron Ramazanin me bindje të plotë t’i falen mëkatet e kaluara, po ashtu e bëri që kush shkon në Haxh dhe i largohet sharjes, polemikave dhe ndalesave të Haxhit të kthehet në shtëpi i falur prej mëkateve sikur se atë ditë kur e ka lindur nëna e tij.

Shenja e pranimit të veprës së mirë është kur ajo pasohet me vepër të mirë, ndërsa shenja e mos pranimit të saj është kur ajo pasohet me vepër të shëmtuar. Nuk ka më mirë se kur veprën e keqe e pason një e mirë dhe atë e fshin, por ende më mirë është kur veprën e mirë e pason një e mirë tjetër.

Hasan Basriu, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Allahu, azze ue xhel,  asnjë veprës së besimtarit nuk i ka përcaktuar afat, përveç se vdekjes, e pastaj lexoi: “Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)“. Hixhr 99.

O ju musliman,

Allahu, azze ue xhel, na porositë“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur! Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër.  Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit) Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari”. Bekare 197-202.

nga arabishtja: Irfan JAHIUdav

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Shperndaje
Shperndaje