DHUNA, TERRORIZMI DHE XHIHADI NË VËSHTRIMIN ISLAM

xhamia e madhePavarësisht prezencës së dhunës në njerëz të ndryshëm, me prejardhje të ndryshme fetare, në të gjitha shoqëritë njerëzore në botë, bota e sotme moderne aktet e dhunës i lidh më së shumti me Islamin si fe, sesa me çdo fe tjetër. Është e qartë se, ngjarjet e dhunshme që kanë ndodhur së fundi, me të cilat janë pleksur disa muslimanë, i kanë dhënë peshë të madhe idesë se, Islami është fe që e miraton dhunën e ndoshta edhe e nxit atë.

Synimi ynë me këtë qasje është, të provojmë të vërtetën që lidhet me dhunën dhe kush janë ata që e ushtrojnë atë, si dhe të argumentojmë me prova të qarta se, Islami në realitet është një fe që fton drejt paqes dhe ruajtjes së rendit dhe se muslimanët nuk janë njerëz që kryejnë akte dhune më shumë se çdo njeri tjetër në këtë botë të ndërlikuar, më shumë se çdo racë, vend apo fe tjetër.

Këtu është e nevojshme të qartësojmë pikëpamjen islame rreth dhunës, në të gjitha format dhe shfaqjet e saj, ndaj është e domosdoshme të marrim parasysh sa më poshtë:

  1. Islami duhet të gjykohet si çdo fe tjetër, nisur nga parimet dhe mësimet e tij dhe jo nga sjellja e disa individëve të caktuar të tij, të cilët mund të pretendojnë se janë njerëzit e vetëm që përfaqësojnë Islamin. E thënë ndryshe, duhet të bëhet dallim në mes asaj që predikon Islami, vlerat, normat e tij etj. dhe asaj që bëjnë disa individë, të cilët thonë se janë muslimanë apo pretendojnë se e përfaqësojnë atë.
  2. Të parët njerëz që u takon të thonë fjalën e tyre, për të sqaruar qëndrimin që Islami ka ndaj këtyre çështjeve, janë njerëzit e ditur dhe klerikët e kësaj feje; janë ata të cilët i njohin mirë parimet dhe normat e Islamit dhe kanë të drejtën t’i interpretojnë ato. Këtu natyrisht që, nuk mund të përfshijmë ata kritikë, të cilët fshihen pas emërtimit “specialist” e janë të ndikuar në idetë, përfundimet dhe komentet e tyre, nga bindjet dhe paragjykimet individuale apo ato që mbartin nga shoqëria ku jetojnë.
  3. Që të mund të përfytyrojmë qartë këto çështje duhet që përfundimet t’i nxjerrim nga përpjekje të sinqerta, ku çështjet në fjalë duhet të shkoqiten në mënyrë objektive dhe të pasqyrohen në mënyrë reale.

Pas këtij sqarimi, le të përpiqemi së bashku të njohim këndvështrimin e vërtetë islam në lidhje me dhunën, në të gjitha format e saj.

 

Përkufizimi i dhunës

Duke iu referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mund ta përkufizojmë dhunën si më poshtë:

“Përdorim i qëllimshëm i forcës fizike (lëndore), qoftë me anë të kërcënimit ose përdorimit real të saj: kundrejt vetes, një individi tjetër, grupi të caktuar njerëzish ose shoqërisë, në mënyrë të atillë që shkaktohet (ose është e sigurt): plagosje, vdekje, dëmtim psikik, pengim zhvillimi ose privim.”

Nisur nga ky përkufizim vëmë re se, Islami kundrejt dhunës i ndan përbërësit që e shoqërojnë atë si më poshtë:

  • personat që kryejnë aktin e dhunës
  • personat që dëmtohen
  • shkaqet e dhunës
  • sa e ligjshme është një vepër e tillë

P.sh. nëse ata që kryejnë “përdorim të qëllimshëm të forcës fizike (lëndore)” janë shtete legjitime apo organe të pushtetit (dhe jo ata që e quajnë veten “muxhahidinë”) dhe ata që dëmtohen janë kriminelë, të cilëve u është provuar faji dhe po dënohen për shkak të krimeve të tyre, në përputhje kjo me normat islame, Islami në këtë rast nuk e ndalon këtë lloj përdorimi dhune, brenda këtyre kufijve.

Shoqëritë islame, si në shumicën e botës, kanë një kod zyrtar penal, të cilin e kanë e legjitimuar dhe vendosur gjykatat ekzistuese, bazuar në ligjin islam dhe traditat kulturore e shoqërore të pranuara gjerësisht në këto vende.[1] Në rastet kur kemi të bëjmë me elementë kriminal, që kërkojnë të prishin rendin brenda një shoqërie, atëherë në këtë rast kemi të bëjmë me një domosdoshmëri në përdorimin e forcës fizike, për nënshtrimin e këtyre individëve, izolimin dhe dënimin e tyre. Ky është një realitet i pranuar në mbarë botën, madje edhe në vendet më të zhvilluara.

Feja islame nuk ua lejon qytetarëve të zakonshëm të ushtrojnë vetë zbatimin e ligjit, por këtë të drejtë ia jep pushtetarit ligjor musliman, ose atij që është i ngarkuar për zbatimin e ligjit.

Islami, siç e përmendëm më sipër, nuk e ndalon shtetin e ligjshëm të përdor forcën, qoftë edhe kundra shteteve të tjera, nëse sheh se ato janë duke kryer vepra që rrezikojnë ekzistencën, sovranitetin, lirinë ose paqen dhe sigurinë e qytetarëve të tij. Gjithsesi, sheriati islam e ndalon ashpër çdo përdorim të padrejtë të forcës edhe në të tilla situata.

Në rast të një konflikti të armatosur Islami citon se, përballja me forcë duhet të jetë vetëm me ushtrinë armike dhe në betejën e luftës dhe forca fizike ekstreme nuk mund të përdoret vetëm se kundra forcave të rregullta ushtarake armike. Islami e ndalon çdo cenim të jetës që drejtohet ndaj grave, fëmijëve ose atyre që nuk luftojnë, ashtu siç edhe ndalon përdorimin e forcës kundra civilëve. Duhet të përmendim këtu se, Islami edhe pse e lejon përdorimin e dhunës – që është e natyrshme në luftë- gjatë betejës, ai gjithmonë i jep përparësi zgjidhjes paqësore, si alternativ ndaj gjakderdhjes, qoftë edhe e një pike të vetme.

Kurani, Libri i Zotit, që konsiderohet burimi i parë i dispozitave islame, e artikulon qartë këtë parim:

“Në qoftë se ata, anojnë nga paqja edhe ti ano nga ajo, e mbështetu tek Allahu.” (El-enfal: 61)

Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) jetoi në Mekë si Profet, bashkë me pasuesit e tij, për trembëdhjetë vjet me radhë, nën hijen e një persekutimi të rëndë, ku mjaft muslimanë vuanin për shkak të braktisjes që ata i bën traditave arabe në adhurimin e idhujve, për t’iu përkushtuar tash e mbrapa monoteizmit. Pavarësisht kësaj situate që ata kaluan, Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe pasuesit e tij nuk u futën në konflikt të armatosur me armiqtë e tyre agresor, madje në mjaft raste ata nuk mbronin as vetveten. Ata duruan dhe mbajtën mbi shpinë të gjithë dhunën dhe persekutimin që u bëhej atyre. Por, kur erdhi momenti i përplasjes së pashmangshme ata u detyruan të luftonin, për të mbrojtur ekzistencën e tyre dhe lirinë e besimit, e megjithatë edhe në ato raste nuk mungoi përpjekja për gjetjen e zgjidhjeve paqësore, në vend të përplasjes së armatosur, por kur nuk kishte më zgjidhje, atëherë mjeti i fundit do të ishte beteja e armatosur mes ushtrive.

E gjitha kjo tregon se, Islami është fe që i jep përparësi paqes para luftës, zgjidhjeve paqësore para atyre luftarake, në konfliktet që karakterizohen nga dhuna. Po, është e vërtetë se Islami nuk është kundra përdorimit të forcës në raste të veçanta, por ai e orienton përdorimin e saj vetëm me masën e nevojshme, aq sa e ka përligjur sheriati hyjnor.

Le të japim disa shembuj:

  • Shteti mund të ketë nevojë të përdor forcën për të kapur të dyshuarit për krime dhe për t’i izoluar ata.
  • Një kalimtar mund të jetë i detyruar të përdor forcën, për t’i dhënë fund një sherri në rrugë me dy njerëzve.
  • Prindërit mund të jenë të detyruar të përdorin “forcën”, për të detyruar fëmijën të mos bëj diçka të gabuar dhe për ta edukuar atë, e motivuar kjo nga përgjegjësia e tyre si prindër.
  • Dikush mund të jetë viktimë e një sulmi të padrejtë, kështu që ai është i detyruar të përdor forcën për tu vetëmbrojtur.

Në këto raste dhe të tjera të ngjashme, Islami e lejon përdorimin e forcës, me kusht që forca e përdorur të përshtatet me rastin dhe të mos kaloj caqet e kufijve që ka vendosur feja. Edhe në këto raste Islami i nxit muslimanët t’i largohen dhunës dhe të karakterizohen nga butësia, për aq sa kjo është e mundur.

Nga Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) përcillet se ka thënë: “Kudo që gjendet butësia, ajo e zbukuron atë gjë, dhe sa herë që ajo mungon, vetëm se e shëmton atë.” (Muslimi)

Por, si mund t’i komentojmë atëherë ajetet e Kuranit, që në dukje nxisin vrasjen e jomuslimanëve, kudo që të jenë?

Në Kuran ka një numër ajetesh, të cilat thonë qartë se, kushdo që jeton me muslimanët në mënyrë paqësore, ai e meriton që me të të sillesh me mirësi dhe të jesh i drejtë, çfarëdo besimi apo feje që ai të ketë, përderisa ai jeton në paqe me muslimanët.

Allahu thotë në Kuran:

“Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë. Allahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes.” (60: 8-9)

Nëse është e vërtetë se Kurani porosit që të vritet jomuslimani për shkak të besimit të tij, atëherë si shpjegohet ekzistenca e pakicave joislame në vendet muslimane, komunitete këto që kanë jetuar në liri për më se 1400 vjet, dhe nuk janë cenuar në besimin e tyre, madje mjaft prej tyre edhe kanë lulëzuar nën hijen e sundimit islam?!

Muslimanët, padyshim si të gjithë njerëzit e tjerë, kanë edhe ata mangësitë e tyre dhe vazhdojnë t’i kenë, e megjithatë për periudha të gjata kohe ata kanë pasur forcë dhe mundësi të mjaftueshme për t’i shfarosur jomuslimanët që jetonin në vendet e tyre, por këtë nuk e kanë bërë dhe kjo për shkak të kodit të Kuranit, i cili e ndalon çdo dhunim me bazë fetare.

Këtu duhet të përmendim gjithashtu se, Kurani e lejon muslimanin të martohet me një grua të krishterë ose çifute. Kështu që nëse do të ishte i vërtetë fakti se Kurani nxit muslimanët të vrasin jomuslimanët, atëherë si e lejon muslimanin të martohet me një jomuslimane, që i përket ithtarëve të Librit?!

Martesa padyshim që është një lidhje e fortë njerëzore, dhe Kurani e përshkruan atë si një marrëdhënie që karakterizohet nga qetësia, dashuria dhe mëshira dhe jo nga dhuna, që prodhon ndryshimi i besimeve.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është se për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), që ju të gjeni prehje tek to dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. E në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (30:21)

 

Islami dhe rrënjët e dhunës              

Islami jo vetëm që ka ndaluar dhunën e padrejtë e të pajustifikuar, jo vetëm që ka vendosur kritere dhe kufizime në përdorimin e “forcës së pashmangshme”, dhe jo vetëm që i nxit muslimanët të sillen me butësi edhe në rastet kur ata përballen me ashpërsinë dhe injorancën, por Islami ka hedhur një hap më tej në përballje me dhunën, ai synon ta ndal zhvillimin e dhunës që në fillesat e saj, dhe kjo, duke trajtuar dhe ndaluar shkaqet kryesore që shpien në përdorimin e dhunës.

Zemërimi                

Përcillet në një hadith se një njeri shkoi te Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe i tha: “Më këshillo.” Dhe ai iu përgjigj: “Mos u zemëro!” Ai e përsëriti disa herë kërkesën dhe Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) ia përsëriti përgjigjen: “Mos u zemëro!” (Buhariu)

Dijetarët muslimanë janë të një mendje se, kjo ngjarje tregon rëndësinë sesi muslimanëve u kërkohet që zemërimin e tyre të mos e përkthejnë në veprime dhune, si dhe çdo gjëje tjetër që mund të ndodh si rezultat i zemërimit.

Ekstremizmi

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj.” (4:171)

Dijetarët e Islamit këtë ndalesë, drejtuar ithtarëve të Librit (të krishterëve dhe çifutëve), e konsiderojnë si ndalesë që i drejtohet gjithashtu edhe muslimanëve. Arsyeja qëndron në faktin se, ekstremizmi në fe është i ndaluar, pa marrë parasysh identitetin dhe besimin e atij që bie në të tilla pozita.

Dijetarët muslimanë kanë përmendur gjithashtu edhe thënie të tjera të Profetit Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të), të cilat ndalojnë nga ekstremizmi, si p.sh.: “Ruajuni nga ekstremizmi në fe, sepse ata që ishin para jush i shkatërroi ekstremizmi në fe.” (Ahmedi)

Padrejtësia

Gjatë gjithë historisë njerëzore padrejtësia ka qenë shkak i ndezjes së zjarrit të dhunës. Kurani ua ndalon muslimanëve të jenë të padrejtë dhe të njëanshëm, duke u nisur nga raca, ngjyra, seksi, përkatësia fisnore…etj.

“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet jush, e s’ka dyshim se tek Allahu më fisniku ndër ju është ai që më tepër është i ruajtur (nga të këqijat). (49:13)

 

Lakmia        

Lakmia është një nga shkaqet kryesore në mjaft armiqësi dhe akte dhune, e pikërisht për këtë arsye Islami i ka këshilluar vazhdimisht ndjekësit e tij, që t’i rinë larg lakmisë dhe të mos i shkojnë pas pangopësisë së sëmurë njerëzore.

Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë: “Ruajuni nga pangopësia! Ata që kanë qenë para jush i shkatërroi pangopësia.” (el-Xhamia es-Sagir)

Islami dhe dhuna familjare    

Ka njerëz që pretendojnë se Islami e lejon dhunën brenda familjes dhe madje e nxit përdorimin e saj, si mjet për vënien nën kontroll të gruas dhe fëmijëve! Na duhet të theksojmë edhe një herë se, mësimet dhe udhëzimet islame të pasqyruara në tekstin e Kuranit dhe fjalët e Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të), nuk e aprovojnë këtë gjë.

Dhunën në familje mund ta përkufizojmë si:

“Sjellje armiqësore dhe detyruese, ku përfshihet cenimi trupor, seksual, psikik dhe ekonomik, i ushtruar nga një i rritur kundrejt njerëzve me të cilët ai jeton së bashku.”

Ose mund të përkufizohet si:

“Sjellje që praktikon njëra palë, në një marrëdhënie familjare, kundrejt palës tjetër me qëllim nënshtrimin e saj…”

Dhuna në familje mund të marrë forma të ndryshme, si p.sh.:

  • Sharje dhe ofendime me fjalë përçmuese.
  • Ndalimi i një pjesëtari nga komunikimi me pjesëtar të tjerë të familjes ose me shoqërinë.
  • Privimi nga pasuria.
  • Ndalimi i një pjesëtari të familjes nga punësimi apo vazhdimësia në të.
  • Kërcënimi me dënime trupore apo edhe veprime konkrete.
  • Dhunë seksuale.
  • Përndjekje dhe gjurmim.
  • Frikësim dhe tmerrim.

Tekstet dhe mësimet islame dënojnë qartë, çdo formë të dhunës në familje dhe e ndalojnë atë. Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që të sillen mirë me gratë, ashtu siç do duhet të ishte një marrëdhënie bashkëshortore e mirë, Ai thotë për këtë në Kuran: “çoni jetë të mirë me to” (4:19)

Dijetarët islam fjalën “të mirë” në këtë ajet e komentojnë se do të thotë: komunikim i mirë, butësi e përhershme me to, paraqitje estetike për aq sa është e mundur, ose e shprehur ndryshe: burri duhet të sillet me gruan ashtu siç ai dëshiron që gruaja të sillet me të.

Nga ky udhëzim, sesi duhet të sillet burri me gruan, kuptohet qartë se nuk kemi të bëjmë me kurrfarë dhune, kërcënim apo ndonjë formë përçmimi që u përmend më sipër. Kushdo që ushtron dhunë në familje ai bie ndesh me mësimet islame.

Islami dhe terrorizmi    

Ajo çka i trishton më së shumti muslimanët e sotëm, është lidhja e padrejtë që bëhet mes Islamit dhe terrorizmit. Nëse qëllon që dy njerëz të ndryshëm kryejnë krime plotësisht të ngjashme dhe njëri prej tyre është musliman dhe tjetri jomusliman, është fakt fatkeq se muslimani me siguri do të përshkruhet si terrorist dhe se vepra e tij është “vepër terroriste, e motivuar fetarisht dhe politikisht.” Po për personin tjetër çdo të thuhet? Po, për atë mund të thuhet se është njeri “fanatik”, mban qëndrime fundamentaliste, ekstreme, ose është një njeri që ka probleme mendore, por rrallë bën vaki të shihet feja e tij si burim, shkak apo “motivi shtytës”, pas të cilit qëndron vepra e tij e dhunshme që ai kreu. Kjo është sfida kryesore me të cilën përballen muslimanët sot, në marrëdhënie me pjesën tjetër të botës që nuk janë muslimanë.

Përkufizimi i terrorizmit

Le t’i analizojmë këto çështje duke nisur me një përkufizim të qartë të termave:

Shumë nga përkufizimet që qarkullojnë për termin “terrorizëm” mbartin dimensione politike dhe emocionale, por është e qartë se shumica e ekspertëve janë të një mendje se, terrorizmi mund të përkufizohet si: “Përdorim i vetëdijshëm dhe i paligjshëm i dhunës, kërcënim me të, frikësim ose detyrim, që synon përmbushjen e synimeve me natyrë politike, filozofike, racore, etnike, fetare dhe ideologjike.”

Islami ua ndalon ithtarëve të tij, në mënyrë kategorike, përdorimin e forcës, për të detyruar cilin do qoftë ai, për të pranuar ose praktikuar doktrinat islame apo për të përmbushur synime politike.

Kurani i shpreh qartë këtë gjë duke thënë: “Nuk ka dhunë në fe…” (2: 256)

Islami nuk ua lejon muslimanëve të përdorimin mjeteve të tilla të dhunshme si: shpërthimet, rrëmbimet e njerëzve dhe avionëve, shantazhet ose çdo formë tjetër dhune të “paligjshme”, që përdoret si mjet për realizimin e synimeve fetare ose politike. Ashtu siç e kemi përmendur edhe më parë, shpallja e luftës sipas normave islame, nuk mund të bëhet vetëm se nëpërmjet qeverive reale dhe drejtohet kundrejt shteteve dhe jo individëve. Lufta duhet të zhvillohet nën flamurin e një pushteti musliman, të ligjshëm, dhe jo nën flamurin e një njeriu që ka shpallur veten si të tillë. Kjo luftë drejtohet kundrejt luftëtarëve të palës armike dhe jo kundrejt qytetarëve civilë, të cilët nuk janë luftëtarë.

Islami u kërkon shteteve muslimane të kenë ushtri të forta, dhe kjo jo me qëllimin për të kryer sulme të padrejta e të paligjshme, apo për të frikësuar të tjerët, por me synimin për t’iu imponuar armiqve të tyre të pranojnë paqen dhe t’i japin asaj përparësi kundrejt luftës, në momentin që ata shohin se kanë të bëjnë me një shtet të fuqishëm ushtarakisht.

Xhihadi në Islam

Në shumë raste fjala kuranore “xhihad” përkthehet gabimisht si “luftë e shenjtë” (holy war). Në realitet ky përkthim është deformim i kuptimit të vërtetë të kësaj fjale dhe një burim i madh keqkuptimi. Le të përpiqemi pra të saktësojmë pikëpamjet:

Së pari: duhet patjetër të marrim parasysh faktin se, Kurani ka ardhur në gjuhën arabe dhe jo në anglisht apo ndonjë gjuhë tjetër. Nëse do të kërkonim të gjenim në Kuran dhe Traditën Profetike, në arabisht, termin ekuivalent me “luftën e shenjtë”, do të shohim se ajo nuk ekziston.

Kurani edhe kur flet për luftën për mbrojtjen e vetvetes, nuk e glorifikon atë, as nuk e emërton atë si të shenjtë; por e përshkruan atë me fjalët “ju nuk e pëlqeni atë” (2: 216-217), por tek e cila gjendet streha e fundit, dhe zgjidhja e pashmangshme, në përballjen me agresionin apo tiraninë.

Për më tepër, termi “luftë e shenjtë” në kuptimin terminologjik do të thotë “luftë në interes të një feje kundrejt një tjetre”. Në realitet mund të themi, e parë nga këndvështrimi fetar se, termi “luftë e shenjtë” është kontradiktor në vetvete, pasi nuk ka diçka të shenjtë në përmbajtjen e luftës ose në pasojat që ajo lë pas, si gjakderdhja, shkatërrimi dhe vuajtjet njerëzore. Po, lufta në disa raste të domosdoshme mund të jetë zgjidhja e vetme, por ajo në vetvete nuk ka sesi të konsiderohet e shenjtë.

Në këtë analizë është e dobishme të diskutojmë edhe kuptimin e fjalës “xhihad”, kuptimin gjuhësor dhe fetar. Xhihad-i është një fjalë arabe që rrjedh nga një rrënjë me tre shkronja (xh, h, d), e cila në gjuhën arabe vjen në kuptimin e përpjekjes, mundit. Nga e njëjta rrënjë rrjedh edhe termi “ixhtihad”, që do të thotë: përpjekje intelektuale e dijetarëve islam, për të mbërritur në një opinion ligjor fetar të vlefshëm, rreth një çështje apo problematike të re.

Në Kuran gjenden pak versete, të cilat lejojnë pjesëmarrjen në një luftë me armë, dhe të gjitha ato kanë një natyrë tepër të përcaktuar:

“Luftoni në rrugën e Zotit – kundër atyre që luftojnë kundër jush, por mos tejkaloni kufirin! – Se, Zoti, nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (2: 190)

“Luftojini ata, deri sa të zhduken ngatërresat (fitnet) dhe feja t’i kushtohet vetëm Zotit! E në qoftë se ata heqin dorë (prej ngatërresave), atëherë s’ka armiqësi, përveç atyre që janë të padrejtë.” (2: 193)

Pra, derisa njerëzit të adhurojnë Zotin, pa pasur frikë se do të sprovohen apo persekutohen.

Duket qartë në këto dy versete, që përcaktojnë dispozita të xhihadit, se dy arsyet e vetme të xhihadit me armë janë: ndalja e agresionit si dhe persekutimi i qartë (fitnet).

Ashtu si në dy versetet e mësipërme, kemi edhe versete të tjera kuranore që e lejojnë luftën, por nëse i kuptojmë ato në kontekstin e tyre tekstual dhe historik, do të vëmë re se ato trajtojnë situata lufte, të cilat nuk ka sesi të përgjithësohen.

Fakti se ata që kryejnë armiqësi dhe persekutime (fitne), karakterizohen nga mohimi i fesë ose janë jomuslimanë, nuk do thotë se ne duhet t’i luftojmë ata, për faktin se nuk janë muslimanë (pa marrë parasysh këtu kontekstin historik, se ata që ishin agresor, në të shumtën ishin jomuslimanë). Kurani në fakt ua lejon muslimanëve të luftojnë edhe kundër vëllezërve të tyre muslimanë, nëse ata janë agresor dhe nëse të gjitha përpjekjet për rivendosjen e paqes dhe drejtësisë dështojnë. (shih Kurani 49: 8-9)

Pra, le të jemi edhe njëherë të qartë, e vërteta është se lufta lejohet vetëm kur ka agresion armiqësor ose kur ka fitne (sprovë, ngatërresa, telashe).

Xhihadi me armë, nuk është i lidhur vetëm me arsyet që e justifikojnë nisjen e tij, por edhe me vetë xhihadin, sesi ai duhet të zhvillohet. Për të ka rregulla islame të forta, të vendosura prerazi. Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) i ka udhëzuar ndjekësit e tij dhe mbarë muslimanët më pas, sesi ata duhet të sillen në fushën e betejës. Këtu e përsërisim edhe njëherë se lufta nuk duhet të nisë, sepse “ju nuk e pëlqeni atë”, përderisa mjetet e tjera paqësore dhe të drejta, për të ndalur agresionin dhe fitnen janë të mundshme.

Rregullat e tjera që rregullojnë luftën në Islam, janë:

  • Qëllimi motivues i luftës duhet të jetë i zhveshur nga egoizmi, individualizmi dhe shovinizmi.
  • Shpallja e luftës duhet të bëhet nga autoriteti ligjor, pas përfundimit të konsultimeve të nevojshme.
  • Nuk lejohet të cenohen të tjerë njerëz veç atyre që janë pjesëmarrës në luftë.
  • Pjesëmarrësit në luftë duhet që t’i largohen plaçkitjes dhe shkatërrimit të panevojshëm.
  • Robërit dhe të plagosurit duhet të trajtohen njerëzishëm.

 

Këtu duhet të tregojmë se, gjatë gjithë historisë së gjatë të muslimanëve këto kushte dhe norma janë zbatuar shpesh, por, ndërkohë ka pasur edhe tejkalime në kohë të ndryshme, ku më shumë e ku më pak. Për fat të keq kjo është ajo që ndodh shpesh me shumicën e njerëzve. Në këtë drejtim kanë pasur efekt edhe interpretimet e gabuara të disa dijetarëve, të cilët ndoshta janë ndikuar sadopak nga situata dhe koha kur kanë jetuar. Por padyshim, pavarësisht kësaj, e vërteta është se, mësimet e Islamit nuk duhet të gjykohen në bazë të asaj që kanë kryer një pjesë e muslimanëve në të kaluarën, apo ata kryejnë sot. Tekstet fetare flasin vetë për veten e tyre, dhe Kurani është i qartë në këtë drejtim për këto çështje.

 

A është përhapur Islami me forcën e shpatës?

Shpesh ata që janë armiqësor ndaj Islamit përdorin disa versete të caktuara kuranore, për të përligjur stereotipin se Islami është fe e dhunës dhe e fanatizmit, dhe se ai është përhapur me shpatë; por një analizë më e thellë zbulon se çështja është më e komplikuar dhe më specifike.

  1. Le të marrim për shembull, në suren el-Enfal, verseti 12: “dhe kur Zoti yt u kumtoi engjëjve se: “Unë jam me ju, pra, inkurajoni ata që besuan! Unë do të hedh frikë në zemrat e atyre që nuk besuan, e ju goditni në qafë e lartë, bjeruni atyre në çdo gjymtyrë (gishtërinj).”

Nëse e vështrojmë këtë ajet të veçuar, jashtë kontekstit të tij, ai do të duket sikur i udhëzon muslimanët të kryejnë vepra të dhunshme kundrejt jomuslimanëve! Por e vërteta është se, kjo sure e Kuranit trajton një betejë historike të caktuar dhe kjo betejë është beteja e Bedrit. Pra nuk kemi të bëjmë me një udhëzim të përgjithshëm, sesi duhet të sillemi me jomuslimanët, ndërkohë që ata për të cilët flitet në këtë ajet “atyre që nuk besuan”, ishin pikërisht armiqtë agresorë në fushën e betejës.

  1. Sure et-Teube, verseti 5: “E kur të kalojnë muajt e ndaluar, luftojini idhujtarët kudo që t’i gjeni,”

Një nga suret që përdorin më së shumti njerëzit e mësipërm, është edhe kjo sure dhe ky ajet në veçanti. Ata e nxjerrin atë jashtë kontekstit të tij, duke bërë që feja islame të duket vërtetë diçka e shëmtuar; por le të shohim disa të vërteta që lidhen me këtë sure:

“idhujtarët” që përmenden në ajet, janë luftëtarët agresorë të zonës, të cilët kërcënonin ekzistencën e muslimanëve të parë. Këta armiq, gjatë gjithë kohës thurnin intriga kundra Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe muslimanëve, dhe synimi i tyre në shumicën e rasteve ishte vrasja e vetë Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe e muslimanëve, ose zënia rob dhe skllavërimi i tyre.

Shpesh ata që argumentohen me këtë ajet, i lënë mënjanë hollësitë shpjeguese, që vijnë para këtij ajeti dhe pas tij:

Ajeti para këtij ajeti (nr. 4) i udhëzon muslimanët të respektojnë marrëveshjet e tyre të paqes dhe armëpushimet, të cilat ata vendosin në mes tyre dhe jomuslimanëve dhe gjithashtu të ruajnë marrëdhënie të mira me aleatët edhe në kohët e agresionit. Ndërkohë ajeti që vjen më pas (nr. 6) thotë: “E nëse dikush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që ai t’i dëgjojë fjalët e Allahut, e pastaj përcille në vendin e tij të sigurt.”

E pra, edhe pse muslimanët në atë kohë në gadishullin arab, jetonin në kushtet e një kërcënimi të përhershëm, ata përpiqeshin vazhdimisht të ruanin paqen dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët e tyre jomuslimanë, madje edhe me armiqtë e tyre më të egër silleshin njerëzishëm.

  1. Sure Muhamed, verseti 4: “Kur të ballafaqoheni në luftë me jobesimtarët, bjeruni në qafë (vritini) derisa t’i rraskapitni, atëherë lidhni,”

Kjo sure ka zbritur në vitin e parë të emigrimit të muslimanëve në Medinë, në kohën kur ata gjatë gjithë kohës ishin të kërcënuar me shfarosje, nga agresioni i armiqve të tyre, që këtu në ajet janë përmendur si “jobesimtarët”, ku me ta nënkuptohen pikërisht idhujtarët e Mekës.

Këto ajete duken të ashpra, sepse ato miratojnë dhunën, por nëse ato lexohen në kontekstin e tyre, do të mësojmë se ato zbritën qartësisht në situata të vështira lufte, në kohën kur shoqëria muslimane ishte e rrethuar nga armiq agresorë, ndërkohë që këto ajete veçse tregojnë realitetin e ashpër të betejës. Ajetet në fjalë për asnjë moment nuk përfaqësojnë një udhëzim të përgjithshëm sesi duhet të sillen muslimanët me jomuslimanët, por edhe nëse gjendet dikush që i përdor ato për të justifikuar dhunën apo terrorin, kjo padyshim që është keqpërdorim i tyre.

Kurani fisnik dhe Tradita Profetike, e bëjnë të qartë se Islami në rrënjët dhe thelbin e tij është një fe e paqes. Për sa i përket terroristëve, ata të cilët përndjekin të pafajshmit për shkak të fesë së tyre, ata nuk kanë vend në Islam. Ata e përdorin “Islamin” si dash kurbani për veprimet e tyre. Islami nuk është dhe nuk ka për të qenë kurrë ashtu siç e portretizojnë ata.

A nuk thuhet në Kuran se, Islami është feja e vërtetë ndaj ai duhet të “ngadhënjej” mbi të gjitha fetë?

Islami i vërtetë, që del nga rrënjët e tij –Kurani dhe Tradita Profetike- nuk ka qenë kurrë një islam kolonialist. Natyrisht që ka pasur udhëheqës muslimanë të cilët gjatë historisë së gjatë islame janë larguar nga mësimet islame në nivele të ndryshme, por këto raste i ekspozojnë ata si njerëz ndaj kritikës dhe jo Islamin si të tërë.

Historia është dëshmitare se ritmi i përhapjes së Islamit në kohë paqe, ka qenë më i madh sesa në kohë lufte. Madje Islami është përhapur edhe në kohë të tilla kur muslimanët kanë qenë të dobët ekonomikisht, ushtarakisht, politikisht dhe në situata të papëlqyeshme shoqërore. Këtë fenomen mund ta konstatojmë edhe në ditët e sotme, që padyshim është një epokë e vështirë vuajtjesh, për muslimanët në mjaft vende të botës.

Nga ana historike, do të vëmë re se, një pjesë e atyre që sulmuan tokat e Islamit dhe bënë kërdinë me vrasje të shëmtuara ndaj muslimanëve, siç qenë tartarët dhe kryqtarët, përqafuan Islamin ose krijuan mendim pozitiv për të. Padyshim që të tilla ngjarje, ku fitimtari përqafon fenë e të mundurit dhe jo e kundërta, të vënë në mendime!

Kur ne hedhim vështrimin mbi hartën e përhapjes së Islamit sot, do të konstatojmë se, shumica e muslimanëve jetojnë nëpër vende në të cilat nuk ka ndodhur ndonjë luftë, e as ka shkelur këmba e ndonjë luftëtari islam, qoftë edhe për të mbrojtur vetveten. Shembulli më i mirë për këtë është Indonezia, vendi ku jetojnë në tokat e saj mbi 200 milion muslimanë.

Thomas W. Arnold, një ish orientalist dhe misionar i krishterë në Indi, në librin e tij të njohur “Përhapja e Islamit në Botë”[2] tregon se, pavarësisht disa periudhave ku udhëheqës të ndryshëm muslimanë kanë dalë jashtë rrugës së tolerancës islame, ky ka qenë gabimi i tyre dhe nuk mund t’i atribuohet mësimeve islame. Sipas konkluzioneve të Arnoldit në këtë libër, dy grupe njerëzish janë predikuesit kryesorë të përhapjes së Islamit në botë, ata janë tregtarët muslimanë dhe misionarët asketë. Kanë qenë këta njerëz, të cilët kanë kryer misionin e konvertimit të njerëzve në Islam, duke u sjellë me jomuslimanët në mënyrën më njerëzore dhe të butë të mundshme dhe duke i ftuar ata në fenë e Allahut.

Është më se normale që ne të pyesim vetveten se, nëse është e vërtetë se Islami e lejon përdorimin e forcës për t’i larguar njerëzit nga feja e tyre, si është e mundur që pakicat joislame, në vendet muslimane, kanë jetuar dhe janë zhvilluar në këto zona që sundoheshin nga Islami?

Pse Kurani dhe Tradita Profetike, në mënyrë të qartë kanë vendosur rregulla dhe kanë përcaktuar të drejta që mbrojnë pakicat joislame që jetojnë nën pushtetin islam, nëse synimi i Islamit është shfarosja e feve të tjera, që ai të “ngadhënjej” mbi to?

Përse Kurani flet shpesh për një dialog paqësor me jomuslimanët si p.sh. në ajetin 46 të sures el-Ankebut ku thotë: “Me ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe vetëm se me të mirë,” nëse ai kërkon që vetëm të “ngadhënjej” mbi fetë e tjera?

Është e vërtetë se në tre ajete të Kuranit (9: 33, 48: 28, 61: 9) Allahu thotë se Ai e dërgoi Profetin e Tij, Muhamedin, me udhëzimin dhe fenë e vërtetë, që ajo të “ngadhënjej” mbi të gjitha fetë, por ndërkohë, çfarë kuptimi ka fjala “ngadhënjej” në këto kontekste?

Fjala “ngadhënjej” nuk duhet parë ngushtësisht, vetëm në aspektin e saj ushtarak dhe politik. Në historinë njerëzore ka pasur mjaft perandori tiranike, të cilat kanë ngadhënjyer ushtarakisht, ekonomikisht ose politikisht, në kohë të ndryshme, por triumfi i tyre nuk qe i përjetshëm. Në fakt, ka një përshtatje më të mirë të fjalës “ngadhënjej” (arabisht judhhirehu), që duhet përdorur për të përshtatur arabishten e Kuranit dhe që është “që ta kumtojë atë, përhap dhe shfaq për mbarë njerëzit.” Gjithsesi, këto ajete nuk kanë si qëllim dominimin apo agresionin, por kanë si qëllim të parë: qartësimin e bukurisë dhe veçantitë e rrugës së Zotit. Zoti thotë në Kuran, për Kuranin: “dhe luftoi ata me të (Kuranin), në një luftë të madhe.” (52: 25) Qëllimi këtë është te Kurani, pra se Xhihadi në këtë rast është fjala, dialogu, urtësia dhe këshilla e mirë.

Përfundimi

Muslimanët ndjekin fenë e paqes, mëshirës dhe faljes, dhe nëse dikush prej tyre kryen një akt terrorist, ky person është mëkatarë, sepse ai ka shkelur parime themelore të Islamit me këtë akt. Kur Timothy McVeigh hodhi në erë një godinë qeveritare në Oklahoma në 1995, asnjë amerikan apo i krishterë nuk u etiketua si terrorist, dhe asnjë i tillë nuk u akuzua për krime ndaj njerëzimit. Kur të krishterët irlandez kryenin akte terroriste kundrejt njeri-tjetrit, mes katolikëve dhe protestantëve, mu në mes të ishujve britanikë, askush nuk e hodhi fajin mbi fenë e krishterë, por mbi individët apo agjendat e tyre politike…

Por, ajo që është për të ardhur keq është fakti se, nuk bëhet e njëjta gjë me muslimanët dhe arabët. Shumica dërmuese e muslimanëve dhe arabëve nuk kanë asnjë lidhje me aktet e dhunës që ndodhin nëpër botë, e megjithatë lidhja bëhet shumë lehtë mes terrorizmit dhe Islamit. Kjo padyshim që është diçka e padrejtë, për vetë Islamin dhe për muslimanët në mbarë botën, numri i të cilëve e kalon një miliard e gjysmë.

Zoti na bekoftë të gjithëve, na pastroftë zemrat nga keqkuptimet, urrejtja, dhe zemërimi!

******

Shënim:

Ky materiali është pjesë e projektit: Knowlege Exhange Program (www.kep.org.sa),iniciuar nga Ministria Çështjeve Islame në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Materiali u përkthye dhe u publikua nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë. Tiranë, 2014.                                       

[1] Këtu ka si qëllim ndër të tjera shkollat e ndryshme juridike islame, të cilat ushtrojnë autoritetin e tyre ligjor në vende të ndryshme, sipas trashëgimisë kulture dhe juridike të atyre vendeve. (shën. përk)

[2] The Spread of Islam in the World : A History of Peaceful Preaching, by Prof. Thomas W. Arnold (1864–1930).daveti caj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Shperndaje
Shperndaje