Rëndësia e studimit të shenjave të kiametit

zjarr-13-696x420

Allahu i Lartësuar e dërgoi Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem para kiametit e nuk pati diçka të dobishme  vetëm se Ai e udhëzoi umetin e tij në të e nuk pati diçka të dëmshme vetëm se ia tërhoqi vërejtjen umetit të tij prej saj.

Pasi ky umet është umeti i fundit si dhe Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve selem është Profeti i fundit në këtë botë dhe pasi Allahu i Lartësuar e bëri këtë umet që të paraqiten shenjat e para të kiametit në të, Allahu i Lartësuar i shtjelloi ato shenja në mënyrën më të mirë për umetin përmes shpalljes që i shpalli Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe lajmëroi se ato shenja do të ndodhin në këtë umet patjetër. Duhet pasur parasysh se pas Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk do të ketë as një Pejgamber që t’ua shpjegojë ato dukuri të mëdha, të cilat do të paraqiten para kiametit dhe alarmojnë për shkatërrimin e gjithësisë dhe pastaj do të fillojë një jetë e re, në të cilën do të shpërblehen të gjithë sipas asaj që kanë vepruar, siç thotë Allahu i Lartësuar në Kuran: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.”

(Suretu Zelzele: 7-8)

Njeriu me mendjen e tij të shkurtër nuk ka mundësi që ta kuptojë atë jetë me kënaqësitë e saj të përjetshme, ka mundësi që ta harrojë Ditën e Kiametit dhe nuk punon për atë ditë. Allahu i Lartësuar para kiametit bëri disa shenja të cilat e vërtetojnë paraqitjen e saj dhe se kiameti do të ndodhë patjetër, e këto shenja janë që njerëzimit t’ia shtojë bindjen edhe më shumë për Ditën e Kiametit e të mos i mbetet pikë dyshimi për ndodhinë e  asaj dite si dhe të mos mashtrohen nga të mirat e kësaj bote ndaj botës tjetër.

E kur Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve selem ka përmendur diçka nga shenjat e kiametit, e pasi të ketë ndodhur, njerëzit e transmetojnë atë gjeneratë pas gjenerate atë ndodhi dhe u shtohet besimi edhe më tepër për ardhjen e kiametit dhe veprojnë e përgatiten sa më tepër për atë ditë para se të vijë e më nuk do të kenë mundësi që të bëjnë mirë. Allahu në Kuran thotë:

Dhe përmbajuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos dini.

Dhe të mos thotë ndokush: “O i mjeri unë që kam lënë mangët respektimin ndaj Allahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!”

Ose të mos thotë: “Ah, sikur të më kishte udhëzuar Allahu (në rrugë të drejtë) e të kisha qenë prej atyre që janë të ruajtur!”

Apo kur ta shohë dënimin të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë e të isha bërë prej atyre bamirësve!” (Suretu Zumer: 55-58)

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue selem në hytbe thoshte: “Jam dërguar unë dhe kiameti si këta dy gishtërinj.”

E kur e përmendte kiametin, fytyra i skuqej, e ngrinte zërin, i shtohej hidhërimi, si të ishte qortues i ushtrisë (Muslimi).

E sahabët u tmerruan nga frika e madhe për kiametin se do të ndodhë në kohën e tyre, kur Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue selem ua përshkroi atyre sprovën e madhe të Dexhalit , siç e transmeton atë hadith sahabi i nderuar.

 

Nevas ibën Sem’an, i cili ka thënë: “Një ditë Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve selem, e përmendi Dexhalin dhe tha se çështja e Dexhalit është e vogël (ndaj Allahut) dhe e madhe (për njerëzit), derisa menduam se është shumë afër. Ai na tha: “Ka sprova të tjera përveç Dexhalit, për të cilat kam frikë për ju. Nëse del duke qenë unë mes jush, atëherë unë do të jem mbrojtës për çdo musliman. Por nëse del pas meje, atëherë secili duhet të mbrojë veten. Allahu është zëvendësi im për çdo musliman.” (Muslimi)

Shumë prej shenjave të kiametit për të cilat ka paralajmëruar Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve selem janë shfaqur, prandaj çdo ditë besimtarit i shtohet besimi gjithnjë e më shumë kur sheh mrekullitë e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem se si po realizohen, ashtu siç ka paralajmëruar para 1400 vitesh dhe aq më shumë i përkushtohet kësaj feje të drejtë.

E si të mos na shtohet imani kur ne shohim gjëra te cilat ndodhin ashtu siç ka  paralajmëruar Muhamedi sal-lAllahu aleljhi ue selem për ndodhinë e tyre, e çdonjëra prej këtyre ndodhive flet si mrekulli e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem e të mjerët ata që mohojnë e propagandojnë kundër profetësisë së Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem.

Studimi i shenjave të kiametit është edhe më me rëndësi për këtë kohë kur secili flet për shenjat e kiametit ashtu si do e si ia merr mendja, me hadithe të dobëta dhe që dëshiron të fusë dyshime në shfaqjen e dukurive për të cilat ka paralajmëruar Profeti sal-lAllahu alejhi ue selem. Prej tyre ka që i kanë mohuar e ka prej tyre që kanë keqinterpretuar, për të cilat kemi obligim që t’i besojmë, e prej tyre janë edhe shenjat e kiametit .

Gjithashtu ky studim ka rëndësi të madhe për forcimin e besimit në Allahun e në Ditën e Kiametit. E pa dyshim që do të ndodhë ashtu siç ka lajmëruar  Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue selem.

Gjithashtu ky studim shpie në gatishmëri sa më të madhe për jetën pas vdekjes, kur gjithnjë e më shumë kuptojmë se kiameti shumë është afruar dhe kanë ndodhur shumë nga shenjat e tij. E kur të paraqiten shenjat e mëdha, do të pasojnë njëra pas tjetrës ashtu siç pasojnë rruazat njëra-tjetrën pasi të jetë shkëputur peri që i mban e për këtë ka paralajmëruar Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue selem.

E kur të lindë Dielli nga perëndimi, mbyllet dera e pendimit dhe vulosen veprat si të tilla, më nuk ka ndryshime e nuk pranohet as besimi e as pendimi, përveç atyre që më parë kishin besuar apo ishin penduar, siç thotë Allahu i Lartësuar në Kuran: “A mos janë duke pritur tjetër ata (pas këtyre fakteve) vetëm t’ju vijnë engjëjt (t’ua marrin shpirtin), të vijë Zoti yt (urdhri për shkatërrim) ose të vijnë disa nga shenjat e Zotit tënd, (në) ditën kur vijnë disa shenja të Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire.” (Suretu Enam:158)

E për atë ditë Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:

“Atë ditë njeriu përkujton se çka ka punuar. E xhehennemi shfaqet sheshazi për atë që e sheh. E për sa i përket atij që ka tepruar dhe i dha përparësi jetës së kësaj bote, xhehennemi do të jetë vendi i tij.

E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xhenneti është vendi i tij.” (Suretu Naziat: 35-41)

E lusim Allahun e Madhëruar, Zotin e Arshit të madh, që të na bëjë të qetë në atë ditë të tmerrshme dhe të na fusë nën hijen e Tij në atë ditë kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij.

Daveti gif

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Shperndaje
Shperndaje